Avdi Smajlaj, ligjërues i politikave evropiane ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë, do të duhej të pasojë edhe në rastin e zgjedhjeve të Serbisë që mbahet në territorin e Kosovës.
Smajlaj ka thënë në “Interaktiv” të KTV-së se vendimi që ndalon referendumin manifeston sovranitetin e Kosovës karshi ambicieve dhe prentendimeve territoriale të Serbisë ndaj shtetit të Kosovës.
“Ky vendim është një vendim që manifeston dhe ushtron sovranitetin e Kosovës karshi kërkesave të një shteti që ka ambicie dhe pretendime territoriale ndaj shtetit të Kosovës. Sikur të ishte fjala për një shtet tjetër me të cilin Kosova ka marrëdhënie të mira, do të mund të bëhej ndryshe mirëpo në rastin konkret kur është fjala që kemi të bëjmë me Serbinë e cila haptas, ka ambicie territoriale ndaj shtetit të Kosovës, përpiqet që ta zhbëjë shtetin e Kosovës. Një vendim i tillë do të duhej të pasojë edhe në rastin e zgjedhjeve të Serbisë që mbahen në Kosovë edhe pse Kosova është treguar fleksibile në këtë drejtim”, ka thënë Smajlaj.
Ai ka komentuar edhe qëndrimin e përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politika të Jashtme, Josep Borrell lidhur me këtë, duke thënë se ai është i njëanshëm.
“Qëndrimi i BE-Së dhe Joseph Borellit është i njëanshëm, ky qëndrim e zbeh autoritetin e BE-së si lehtësues në dialogun Kosovë-Serbi. Mendoj se një qëndrim i tillë nuk i bën nder BE-së mirëpo institucionet e Kosovës nuk duhet të mjaftojnë vetëm me deklarata kundër qëndrimit të Borellit”, është shprehur Smajlaj.
Bashkimi Evropian ia ka kërkuar Qeverisë së Kosovës rishqyrtimin e qëndrimit për mënyrën e mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë.Mirëpo, Qeveria e Kosovës ka thënë se votimi nëpërmjet postës e ai në Zyrën ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë janë opsionet e vetme të realizimit të kërkesës së bërë.
Referendumi për ratifikimin e ndryshimeve kushtetuese në Serbi do të mbahet më 16 janar.