2 perditesime
16:58

Haradinaj thotë se ZPS-ja po e provokon: Nuk dua t’u ndihmoj

Ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka refuzuar të përgjigjet kur është pyetur nga ZPS-ja disa herë nëse UÇK-ja apo individë të saj kanë bërë krime gjatë luftës në Kosovë. Ai ka thënë se nuk mund të përgjigjet në pyetje abstrakte dhe se do që ta pastrojë emrin e UÇK-së.

“Nëse i marrim të gjitha proceset në Kosovë që i ka ngritur prej UNMIK-ut, EULEX e Tribunali, jo 70 po 80 përqind kanë dalë njerëz të pastër. E vetmja që ka ndodhur, ka ndodhë një fatkeqësi, njerëzve u keni humbur nga 7 vjet jetë. Edhe 90 përqind njerëzit kanë dalë të pafajshëm dhe janë liruar”, ka thënë Haradinaj.

“Z. Haradinaj, dëshmitarët që dëshmojnë kundër UÇK, a janë bashkëpunëtorë serbë”, është pyetur.

Haradinaj u përgjigj se nuk do që ta ndihmojë prokurorinë, duke kërkuar që pyetjet të jen më të qarta.

“Për hirë, thjesht z. prokuror nuk jam ai që dua tu ndihmoj si prokuror apo ZPS. Po ua them për dy herë, me rastin e Millosheviqit dhe tash me këtë pyetje, po do me bë qëllim si precedantë të katër dhe nëse kjo në Kosovë nënkuptohet si unë mendoj që mund të nënkuptohet, ju po doni të më bëni precedant të paqenë. Pse po mendon ashtu, kush ka menduar ashtu. Ju nuk keni thënë se po e ndjekni UÇK, tash po thoni që jeni duke e ndjekur UÇK. Jeni duke e ndjekur krimin, apo vetëm UÇK po e ndjekni”.

“Po më provokon”, ka thënë Haradinaj drejtuar prokurorit.

Haradinaj deklaroi se është pro dënimit të secilit individ apo grup që ka kryer krime, mirëpo është kundër dënimit të UÇK-së, që sipas tij, Prokuroria po e bën këtë. Ai tha se nëse prokurori është kundër UÇK-së “do ta kem kundërshtar gjithë jetën”.

“Nuk po ma bën pyetjen për po ose jo. Po më thua kundër UÇK dhe unë nuk e quaj krejt UÇK kriminale, nëse më thua kundër individëve është diçka tjetër. Prandaj po reagoj. Ne pikërisht për këtë ju kemi kritikuar, ju e keni në sulm UÇK , nuk luan rol hiç kush është. Nëse po i kërkoni kriminelët që kanë mundur të jenë edhe UÇK , dakord jam. Nëse doni ta dënoni UÇK , jam kundërshtar i yti gjithë jetën”.

“Nëse është duke u dënuar UÇK si emër, si grup, unë jam kundër. Nëse po dënohet apo merren në pyetje individët që mund të jenë edhe UÇK , ata dëshmitarë nuk i quaj tradhtarë as asgjë. Janë dëshmitarë. Dua ta pastroj emrin UÇK ”.

“Nuk merrem unë me gjëra abstrakte, merreni ju. Unë nuk flas për gjëra abstrakte”.

Nga prokurori është pyetur se: “A është të paktën e mundur që UÇK të ketë kryer krime”.

“Nuk qes fall për të folur për gjëra abstrakte. Jam për zbulimin e krimeve kushdo qoftë ai”, u përgjigj Haradinaj.

ZPS-ja ka lëshuar edhe një video të një deklaratë të mëhershme të Haradinaj ku thoshte se “edhe po të kishim dashtë, nuk mund të kryenim krime”.

Haradinja u përgjigj se Kosova nuk ka pasur potencial gjatë luftës në krahasim me ushtrinë serbe.

“Dihet forca jonë sa ka qenë në UÇK , dihet kush ka pasur potencial të kryejë krime. Dihet kush ka qenë i dëshmuar para lufte në Kosovë në katër shtete tjera kush ka kryer krime dhe dihet kush është vlerësuar nga Evropa se kush ka bërë gjenocid, mos të flasim për masakra. Kundërshtimi jonë është vetëm pse nuk bën kjo gjykatë nëse s’mundet ata në Serbi se as nuk iu dëgjon ajo ju, qytetarët të nacionaliteteve tjera t’i marrë t’i trajtojë njëjtë. Nuk jemi kundër drejtësisë, kundër zbulimit të krimeve, jemi vetëm të mos jetë njëanshëm”.

Kur u pyet nëse UÇK-ja kishte potencial për të kryer krime, Haradinaj tha se civilëve serbë nuk kanë mundur t’u afrohen asnjëherë.

“Logjikisht në popullsi të vet, ushtria e saj çlirimtare nuk e bën. Ne civilëve serbë ne nuk kemi mundur t’u afrohemi kurrë”.

“Nuk ka brez i ushtrisë jugosllave që nuk e ka bë në përudhën e vet vrasje në Kosovë dhe mbi shqiptarët. Po të mos ishte potenciali i madh nuk do të ishte dashur të intervenojë bota ndërkombëtare dhe me ua heq potencialin”.

16:18

Haradinaj përmend krimet e Millosheviqit në Hagë: Gjykata të ndryshojë qasjen

Ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj ka thënë se do të vazhdojë kundërshtimin e atyre që sipas tij bazohen në të dhënat e Millosheviqit. Derisa prokurori e ka pyetur nëse do të pengonte punën e Dhomave të Specializuara, Haradinaj ka thënë se DHSK-ja duhet të ndryshojë qasjen dhe të merret me të gjitha krimet duke mos vepruar në mënyrë një-etnike.

Haradinaj ka thënë se është kundër çdo gjykate selektive, derisa ka përsëritur kërkesën e tij që Specialja të gjykojë të gjitha krimet në të kundërtën, ka thënë se është për shfuqizimin e saj nëse ajo vepron në mënyrë një-etnike.

“Varri më qet nga dheu mos me kundërshtu Millosheviqin unë”, ka thënë Haradinaj derisa nuk i ka mbajtur lotët.

Haradinaj ka thënë se do ta mbështeste këtë gjykatë nëse e njëjta do të merrej me të gjitha krimet.

“Në momentin që e shtini zbulimin e të gjitha krimeve, ndryshoni qasje, prandaj janë këto që njerëzit nuk ju duan, kështu po reflektoni ndoshta është e gabueshme, kështu po reflektoni dhe është mirë dikush të thotë si po reflekton, është ndihmë, duhet me qenë falënderues, me sjelljet e juaja kështu po reflektoni. Njeriu që ka dënuar me vdekje njerëz, Vukçeviq nëse guxohet me fol, gjatë luftës, njeriu i parë i Millosheviqit, dhe t’i referoheni këtyre, çka mendon që ata mendojnë për shqiptarët, patologjikisht ata e kanë krijuar sendoren me i urrejtë shqiptarët, nuk mund të vijë asgjë tjetër, edhe nëse vjen e drejtë besomni nuk do të jetë e besueshme prej popullit tim, 100 vjet na kanë vrarë, pre, grirë”, ka thënë Haradinaj.

Nasim Haradinaj ka thënë se OVL-UÇK vazhdimisht kanë kërkuar futjen e një amandamenti në ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës, dhe se kjo vazhdon të jetë kërkesë e tyre me qëllimin e vetëm që gjykata të merret me të gjitha krimet.

“Ne kemi kërkuar futjen e një amendamenti që parashikonte hetimet për të gjitha krimet e kryera, pavarësisht se kush i ka kryer ato. Këtë po e them. Për të qenë të qartë se ne nuk po kërkonim shfuqizimin apo mbylljen e DhSK-së, ju e keni qitë këtë se e kemi lyp ne shfuqizimin. Ne kemi lyp një amandamentim, me e shti me u ndjek kjo çka e thash më lartë, të gjitha krimet, dhe nëse kjo prokurori e pranon që nuk po do me i ndjek të gjitha krimet unë po të them edhe njëherë ne nuk po mundemi ta shfuqizojmë se ju jeni shtet paralel, Kosova e ngratë atje veç rri i tregojnë përralla shoqi’shoqit ata deputetë që e kanë çuar gishtin, se ju tash ja jepni fuqinë vetës, ju nuk e pyesni hiç Kosovën”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se është për shfuqizimin e gjykatës nëse e njëjta nuk pranon të mirët me të gjitha krimet e luftës në Kosovë, pavarësisht etnisë.

“Po do ti me më detyru me dalë kundër të drejtave të popullit tim, prano ti këtë që e ke kështu, që unë po ta pranoj nuk jam me ty nëse ti je monoetnik, nëse ti je selektiv, nëse ti nuk do me i qit kriminelët përpara këtu, por do me saju të tjerë në bazë të dëshmisë së kriminelëve që e ke koordinator, unë po them jam kundër teje, dhe këtu jam kundër teje. Dhe nëse vazhdon dhe ma krijon këtë bindje unë e ndërpres dëshminë qoftë edhe me dëmtimin tim, jam kundër atyre që duan të përlyejnë luftën dhe shtetin tim. Ju po dëshironi që DhSK-ja të rrëzohet ose ta paraqitni të tillë. Ne po dëshirojmë që DhSK-ja të përmirësohet ku ka mundësi, t’i ndjek të gjitha krimet, asgjë tjetër, a po të pengon kjo ty, nëse kjo të pengon po të them edhe njëherë, po du me u rrëzu nëse të pengon kjo me i ndjek të gjitha krimet, du me u rrëzu, nuk du me ju pa hiç”, ka shtuar Haradinaj./KP

11:59

Haradinaj prokurorit të Speciales: E keni kapur drejtësinë

Është duke vazhduar intervistimi i Nasim Haradinajt nga mbrojtja e tij në Dhomat e Specializuara. Deri më tani ai ka rrëfyer momentin kur ishte arrestuar nga EULEX-i në Prishtinë, më 25 shtator 2020, derisa replika të ashpra ka pasur edhe me zyrtarin e Zyrës së Prokurorisë Speciale (ZPS).

Haradinaj deklaroi se deputetët që e kanë votuar themelimin e Gjykatës Speciale, e kanë fajin që “prokurori ta uzurpojë drejtësinë”.

“82 parlamentare që e kanë çuar gishtin pa e ditur se çka po bëjnë, fajin e kanë deputetët e Kosovës që ta kanë mundësuar ty zotëri prokuror t’i uzurposh kompetencat edhe të Gjykatës Kushtetuese, edhe të Avokatit të Popullit edhe të drejtësisë. Nuk pyetet askush më në Kosovë”, deklaroi ish-zyrtari i Organizatës të Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

“Prokuroria shpesh fjalët po i spekulon, ose duhet pranuar që nuk dinë dhe po referohet kësaj. Spiunët e dimë krejt bota se kush janë, spiunët janë bashkëpunëtorët e regjimit komunist në atë kohë që më kanë përcjellë dhe që vazhdojnë fatkeqësisht ende të jenë në krye të qeverisë sime, nuk ka të bëjë me spiunë të këtyre. Bashkëpunëtorët janë ata të cilët edhe gjatë kohës së luftës, fatkeqësisht edhe shqiptarët që unë po lypi që dhe ta kjo prokurori t’i hetojë, kanë kryer krime së bashku me forcat serbe”, ka thënë ai.

Prokurori ka vijuar me pyetjet rreth rastit të dëshmitarëve dhe dosjeve që kanë dalë në publik.

Haradinaj tutje potencoi se nuk i komenton deklarimet e dëshmitarëve të tjerë që kanë dëshmuar para trupit gjykues.

Aktualisht seanca ka shkuar në pauzë.