Arbëri

Diplomacia jashtë binarëve, ministrja shpërfilli kërkesat e brendshme për ligjshmëri

Descriptive Text

Pas raportimeve të shumta për parregullsitë brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme, ministrja Gërvalla është lajmëruar nëpërmjet rrjeteve sociale duke premtuar kthimin e diplomacisë në binarë të ligjshmërisë. Por shkeljet e qeverive të kaluara i ka vazhduar edhe ministrja aktuale, të cilat janë denoncuar nga mekanizmat brenda këtij institucioni

Shkeljet të cilat ia atribuoi qeverive të kaluara, Ministrja Gërvalla është pandehur se po i vazhdon njësoj. Përmes një statusi të gjatë, shefja e diplomacisë foli për parregullsitë në rastin e emërimeve e gradimeve në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Por në vazhdimësi ka injoruar kërkesat e brendshme për rishikim të gradave dhe miratimin e rregulloreve para se bëhet sistemimi i zyrtarë të ministrisë së shuar të diasporës.

Gërvalla tha se janë në fazën finale të miratimit finale të fuzionimit të ministrive. Por dy emërime i ka bërë në shpërfillje të kërkesës ligjore.

Ka angazhuar Hamdi Bërbatovcin si auditor të brendshëm, ndërsa Behar Isma është emëruar Drejtor i Akademisë Diplomatike. Vendimmarrjen kishte tentuar ta ndalë edhe Shoqata brenda MPJ duka ia rikujtuar ministres mungesën e bazës ligjore.

“Angazhimi i Auditorit të Brendshëm- z. Hamdi Bërbatovci përveç se është bërë, ende pa u rregulluar baza ligjore për fuzionim, paraqet konflikt interesi kur në njësinë audituese gjendet familjarja e tij që me këtë rast sipas etikës profesionale nuk është e paanshme me punën dhe angazhimet e fushës së auditimit”, shkruan në reagimin e Shoqqatës, me të cilin ishte njoftuar edhe kryeministri dhe Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme.

Shkelje janë evidentuar edhe në rastin e Ismës.

“Në këtë rast nuk janë plotësuar edhe kriteret e tjera që kërkohen për një pozitë të tillë të lartë, si grada diplomatike, përvoja në diplomaci, të cilat nuk i plotëson z. Isma. Madje ai vjen nga një pozitë shumë e ulët dhe nuk mund të konsiderohet ekuivalente, ngritja nga koefecienti 9 në atë 16, si dhe raste të tjera të avancimeve dhe fuzionimeve pa bazë ligjore që kanë ndodhur në të kaluarën”, shkruan aty.

Para tyre, në korrik të vitit të kaluar ish udhëheqësi i divizionit të personelit të Ministrisë së diasporës, ishte sistemuar në pozitën e njëjtë në MPJ.

Në kabinetin e ministres nuk kanë ofruar sqarime përkitazi me këto emërime.

Pas shpërfilljes nga ministrja, Shoqata Sindikale ka kërkuar intervenimin e Agjencisë Kundër Korrupsion që tani lëndën e ka në shqyrtim.

Gërvalla në “facebook” paralajmëroi miratimin e rregullores, por nuk tregoi edhe për vendimet që tashmë janë marrë.

“Pas një faze shumë intensive të identifikimit jo vetëm të dobësive, por edhe potencialit për reformë brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, tani kemi hyrë në fazën finale të fuzionimit të ish-Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe ish-Ministrisë së Diasporës, fuzionim ky që ka dështuar ta kompletojë qeveria gjatë mandatit të kaluar. Në kuadër të riorganizimit të MPJD-së ndodhemi në prag të implementimit të rregullores së re të brendshme, e cila do të mundësojë një funksionim më të mirë dhe më efektiv të këtij institucioni”, ka shkruar Gërvallla.

Fuzionimin e rregullon ligji për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore dhe agjencive të pavarura ndërsa me detajisht procesin e definon rregullorja për standarde të organizimit të brendshëm. Sipas kësaj rregullore, prej momentit që bashkohen ministritë duhet të nisë procesi për sistematizimin e vendeve të punës.

Vëzhgues të punës së MPJ-së kanë ngritur pikëpyetje me reformën e premtuar të ministres.

“Janë dy pikëpyetje kryesore. Së pari, duhet të shohim nëse reforma do të jetë gjithëpërfshirëse dhe nëse do të adresojë të gjitha problemet e identifikuara, nga më seriozet, tek ato më të imta. E dyta, duhet parë nëse reforma do të zbatohet efektivisht në praktikë. Një reformë e mirëfilltë do të duhej të krijonte bazat e funksionimit institucional dhe përfaqësimit ndërkombëtar të Kosovës për disa dekada”, ka thënë Butrint Berisha, hulumtues në Institutin e Prishtinës për Studime Politike (PIPS).

Sipas Berishës, përpos ligjeve, rregulloreve dhe dokumenteve- MPJD-së i nevojitet një ndryshim thelbësor në mendësi.

“Një ndryshim në mënyrën e të të menduarit, do të mundësonte të kuptohen më mirë zhvillimet ndërkombëtare, rrjedhimisht ndërmarrjen e veprimeve diplomatike racionale në planin afatgjatë”, ka shtuar ai.

Ministrja Gërvalla foli për meritokraci dhe vendosje të ligjshmërisë në dhënien e gradave.

“Dhënien e gradave do ta vendosim në binarë ligjorë duke shpërblyer punën dhe profesionalizmin, e jo përkatësinë partiake, klanore apo familjare.

Kemi audituar ndërkohë sektorët e ndryshëm të ministrisë dhe tani jemi në fazën e implementimit të rekomandimeve të auditorit. Auditime të tjera të rëndësishme do të vijojnë. Kështu kemi funksionalizuar zyrën e personelit, kemi ndalur shkeljet gjatë emërimeve, shpërdorimin e parasë publike dhe kontratat e tenderët e pakuptimtë. Kemi ndalur po ashtu edhe udhëtimet e panevojshme duke implementuar mekanizma rigoroze të kontrollit”

Por, “KOHA” raportoi javën e kaluar se së paku tetë diplomatë ministrja i gradoi në mënyrë selektive, duke shpërfillur edhe rekomandimet e Komisionit përkatës.

Dosjet e tyre në kuadër të shpalljes së shtatorit të vitit të kaluar, ishin shqyrtuar me urgjencë dhe të njëjtit janë emëruar në pozita të ndryshme. Në mesin e tyre ka që kanë përfituar jashtëligjshëm në qeveritë e kaluara.