Arbëri

Sektori privat kërkon trajtimin e atij publik për pushime në festa

Bartja e ditëve të festave nga fundjava në ditë pune nuk respektohet në sektorin privat në Kosovë, ka thënë kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat në Kosovë, Jusuf Azemi i cili ka kërkuar trajtim të barabartë me sektorin publik në këtë fushë.

Në emisionin “SOT” në KTV, Azemi ka thënë se një dëshmi e pabarazisë në këtë kanë qenë ditët e festës për Vitin e Ri. Në sektorin publik është pushuar më 3 dhe 4 janar, pasi ditët e festës 1 dhe 2 janar qëlluan në fundjavë.

“Ne ndoshta s’kishim dashtë me hi në vlerësime të ligjit se a të barten ditët nga vikendi në ditë pune, por më shumë shqetësohemi si punëtorë privatë se s’dimë kur kemi ditë pushimi apo pune. Kemi Ligjin mbi festat zyrtare, neni 6, e sanksionon që festat shtetërore duhet festuar edhe sektori privat, por e dimë se festa zyrtare për sektorin privat, pothuajse një numër shumë i vogël e zbaton pasi që pronarët e kompanive në njëfarë forme janë ata që e menaxhojnë punëtorin dhe po flas në 80 për qind të sektorit privat që s’kanë as festë, fetare e as shtetërore e as për Vitin e Ri. Më 1 janar kam dalë në qytete të ndryshme dhe kam pa që pjesa dërrmuese ka qenë në vendet e punës. S’jemi kundër punës, por kundër mosrespektimit të Ligjit të Punës dhe marrëveshjes kolektive”, ka thënë ai.

Sipas tij, moszbatimi i këtij ligji s’është zbatuar as në të kaluarën.

Azemi është ankuar se Kosova është ndër vendet e rralla ku “punëtorët e sektorit privat punojnë që benefitet t’i shfrytëzojnë ata të sektorit publik”.

Ka thënë se Qeveria Kurti po vazhdon “avazin e qeverive të vjetra me zero orientim për sektorin publik”. Sipas tij, VV-ja kur ka qenë në opozitë ka dhënë shumë premtime.

Ngritja e pagës minimale, pagesa e kontributeve dhe sigurimi në raste të lëndimeve apo dëmeve në vend pune janë kërkesat që ai ka përmendur si sektor privat.

Paga e ulët në sektorin privat, sipas tij, do të bëjë që Kosova të përballet së shpejti me mungesë profesionistësh.