Arbëri

Paligjshmëritë në Ministrinë e Jashtme, kërkohet ndërhyrja e Agjencisë Antikorrupsion

Një dosje me shkelje të shumta nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme është deponuar në Agjencinë Kundër Korrupsionit. Për shkak të pafuqisë për t’i ndalur emërimet dhe gradimet e jashtëligjshme, sindikata brenda MPJ-së ka kërkuar ndërhyrjen e Agjencisë për ta kthyer ligjshmërinë në shërbimin e jashtëm

Pafuqia për t’i ndalur paligjshmëritë në shërbimin e jashtëm e ka shtyrë Shoqatën Sindikale të MPJ-së që ta kërkojë ndërhyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit. Ndër shkeljet masive janë përmendur emërimet e kundërligjshme të diplomatëve, pa qenë pjesë e shërbimit të jashtëm; punësimet pa kritere dhe gradimet e paligjshme.

Në shkresën, të cilën e ka siguruar KOHA, janë përmendur emërimet me çelës politik, të cilëve ligji ua ndalon vazhdimin e punës në MPJ pasi ta kenë përmbushur një mandat.

“Në kundërshtim me legjislacionin në fuqi janë emëruar në vazhdimësi diplomatë sipas çelësit politik nëpër misionet diplomatike-konsullore, gjegjësisht konsujt e përgjithshëm dhe diplomatë të tjerë, të emëruar sipas çelësit politik, të cilët janë aktivë edhe në ditët e sotme e që njëkohësisht përbën edhe ngarkesë të taksapaguesve të qytetarëve dhe dëmtim i buxhetit të Republikës së Kosovës”, thuhet në shkresën e Shoqatës.

“Në mungesë të veprimeve nga aktorët përgjegjës në MPJD për ndalim të kësaj dukurie të kundërligjshme kërkohet nga ju si institucion kompetent të ndërmerrni masat e nevojshme që të mos lejohen shpenzimet në ngarkesë të buxhetit RKS pa mbulueshmëri ligjore”.

Shkeljet janë denoncuar edhe në rastin e punësimeve pa konkurs.

“Legjislacioni i Kosovës përcakton kriteret lidhur me punësimet që bëhen nëpër institucionet përmes shpalljes së konkurseve dhe kritereve tjera përcjellëse deri te punësimi me kontrata fillestare, periudha provuese, akt emërimi, të cilat ruhen nga zyra e personelit dhe dëshmohet për mënyrën e punësimit dhe ngritjen në karrierë të secilit nëpunës në institucionet publike konkretisht edhe në MPJ”, shkruan aty.

Si rrjedhojë e emërimeve të kundërligjshme pa qenë pjesë e shërbimit të jashtëm, sipas Shoqatës, të njëjtit pas mbarimit të mandateve të tyre janë sistemuar në MPJD pa përmbushur kriteret e punësimit, sipas institucionit të konkursit, siç është rregulluar me ligjin e shërbyesve civilë.

Aty përmendet tërheqja e një pjese të diplomatëve në vitin 2020 nga ish- ministri Glauk Konjufca, që ishte bërë pa të drejtë sistemimi në MPJD.

“...andaj duhet të vlejë praktika e njëjtë për rastet e njëjta dhe jo të sistemohen madje për një kohë të shkurtër, të dërgohen sërish nëpër misione diplomatike/konsullore të punësuarit në mënyrë të kundërligjshme”.

Për shkeljet është njoftuar edhe Zyra e Kryeministrit, Komisioni parlamentar për punë të jashtme dhe Zyra e Auditorit të Përgjithshëm.

Shqetësime janë ngritur edhe për komprometimin e procesit në dhënien e gradave, për të cilat KOHA do të raportojë ditëve në vijim.