Arbëri

MPJ serbe: Suspendohet anëtarësimi i Kosovës në Organizatën Botërore të Doganave

Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë, përmes një komunikate për media, ka bërë me dije se në takimin e Organizatës Botërore të Doganave (WCO) në Bruksel gjatë shqyrtimit të anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë, kësaj të fundit i është marrë e drejta e votës.

Kjo çështje, sipas MPJ-së së Serbisë, është suspenduar deri në njoftimin e radhës.

MPJ-ja serbe ka thënë se është propozuar një grup punues i cili do të shqyrtojë rastin e Kosovës dhe do të propozojë një zgjidhje për statusin e saj të ardhshëm. E deri atëherë, gjithnjë sipas MPJ-së serbe, vendimi i vlefshëm do të jetë ai i vitit 2012 se pranimi i Kosovës në WCO është i hershëm.

“Ministria e Punëve të Jashtme, Zyra për Kosovën dhe Metohinë dhe Administrata Doganore kanë punuar së bashku që të sfidojnë përpjekjet jo-legjitime për pranim të së ashtuquajturës Kosovë në Organizatën Botërore të Doganave pasi Belgjika, si depozituese e Konventës, dhe Sekretariati i WCO-së, në kundërshtim me vendimin e WCO-së së vitit 2012 se ‘pranimi i Kosovës është i hershëm’, kanë provuar ta pranojnë Kosovën në këtë institucion”, thuhet në deklaratën e MPJ-së serbe, raporton Koha.net.

Depozituesi i Konventës dhe Sekretariati i WCO-së, sqaron MPJ-ja serbe, kanë provuar që ta fusin në votim, edhe përkundër protestës së Serbisë dhe “mbi 20 vendeve tjera”, diskutimin për pranim të Kosovës në agjendën e kësaj seance të Këshillit të WCO-së në Bruksel.

MPJ-ja serbe thotë se anëtarësimi i Kosovës është suspenduar me kërkesë të Serbisë deri në seancën e radhës.

Ndërkaq, më 3 mars të këtij viti, kryeministri Isa Mustafa, pati bërë të ditur se Kosovës është zyrtarisht anëtare e Organizatës Botërore të Doganave, me seli në Bruksel.

Lajmin për anëtarësimin e Kosovës në Konventën themeluese të Këshillit për Bashkëpunim Doganor dhe Organizatën Botërore të Doganave e kanë bërë publik në një konferencë për media kryeministri, tashmë në detyrë, i Kosovës, Isa Mustafa, së bashku me ministrin e Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, po ashtu tani ministër në detyrë.

Në konferencë, ku ishin të pranishëm edhe ministri i Financave, Avdullah Hoti dhe drejtori i Doganës, Bahri Berisha, Mustafa pati thënë se ky anëtarësim ka rëndësi të madhe për Kosovën.

“Anëtarësimi në këtë Organizatë është tepër i rëndësishëm për rrugën e anëtarësimit tonë të mëtutjeshëm në organizatat e jashtme, është një anëtarësim gati i barasvlershëm me anëtarësimin në Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, që lidhet me zhvillimin tonë ekonomik dhe financiar. Ky anëtarësim ka rëndësi të madhe për zhvillimin e gjithmbarshëm të vendit, për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar, për avancimin e raporteve ekonomike dhe tregtare të Kosovës me të gjitha shtetet e botës, anëtare të kësaj Konvente, si dhe për shumë aspekte të tjera që lidhen me shtetësinë dhe progresin në Kosovë”, pati thënë kryeministri.

Edhe Hoxhaj pati thënë se Kosova tashmë është bërë shteti i 181 i Organizatës Botërore të Doganave dhe se ky është një lajm i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe për tregtinë e jashtme.