Arbëri

Dështon mbajtja e seancës ndaj Gogajt, OAK-u nuk e përfill vendimin e Qeverisë

Sërish ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore ndaj Shaban Gogajt, i cili akuzohet për veprën penale “vrasje e rëndë”.

Seanca është shtyrë për vitin tjetër, për shkak se avokati i caktuar nga Gjykata nuk ka ardhur dhe ka refuzuar ta marrë këtë rast.

Kryetarja e trupi gjykues ka pyetur edhe të akuzuarin, nëse ka angazhuar ndonjë avokat, mirëpo ai dha një përgjigje të njëjtë sikurse herëve të kaluara.

Kryetarja e trupit gjykues ka vendosur avokatin Gëzim Kollqaku, pas vendimit të Qeverisë se Kosovës, që të anulojë vendimin e Odës së Avokatëve, që pas përjashtimit të Berishës të mos caktohet avokat tjetër.

Koha ka siguruar disa emaile që disa nga anëtarët e Këshillit Drejtues të OAK-së kanë shkëmbyer pas njoftimit të vendimit të gjyqtares.

Disa prej anëtarëve kishin njoftuar se vazhdojnë të qëndrojnë të palëkundur që të mos dërgohet avokat, përkundër vendimit të ekzekutivit. Ata janë arsyetuar se vendimi i Qeverisë shkel rëndë integritetin e OAK-së.

Teksa, tash e disa muaj procesi ka mbetur i bllokuar, shoqëria civile thotë se Këshilli Gjyqësor i Kosovës duhet të shfuqizojë memoradumin me OAK-në, për caktim të avokatëve sipas detyrës zyrtare.

KOHA ditë më parë ka raportuar edhe për mospajtimet brenda Odës, ku jo të gjithë anëtarët e Këshillit janë pro vendimit.

Teksa disa prej tyre kanë thënë se vendimi i ekzekutivit duhet të respektohet dhe se një bllokadë e tillë u krijua për interesa individuale.