Arbëri

Thaçit i vazhdohet paraburgimi, mbrojtja kërkon seancë publike për të dëgjuar arsyet

Descriptive Text

Mbrojta e Hashim Thaçit ka kërkuar seancë dëgjimore publike për të trajtuar arsyet për mbajtjen në paraburgim të Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. Avokati kryesor në ekipin e ish-presidentit të Kosovës, Gregory Kehoe ka thënë se Prokuroria po bënë komente të maskuara duke përmendur konfidencialitetin dhe duke thënë se Policisë nuk mund t’i besohet lidhur me garancinë se katër të akuzuarit do të respektojnë kushtet e vendosura nga gjykata.

Në konferencën mbi ecurinë e çështjes që po mbahet në Dhomat e Specializuara në Hagë, avokati Kehoe ka thënë se rezervat e Prokurorisë mbi Policinë e Kosovës duhet të dëgjohen në debat publik.

“Unë e kuptoj që i nderuari gjykatës ka marrë sot vendim për mbajtjen në paraburgim e kjo çështje do të apelohet”, ka thënë Kehoe. “Kjo procedurë duhet të trajtohet në seancë të hapur, në debat të hapur këtu në gjykatë në mënyrë që të dëgjojmë se cilat janë rezervat që ka Prokuroria mbi Policinë e Kosovës apo çdo etnitet tjetër, prandaj ne kërkojmë seancë dëgjimore publike për të trajtuar arsyet përse këta zotërinjtë mbahen në burg ndërkohë që ka një vit që presin gjykimin, ata mund të kthehen në shtëpitë e tyre dhe të respektojnë kushtet e vendosura. Të mos vazhdohet me këto komente të maskuara të Prokurorisë lidhur me konfidencialitetin apo se Policisë së Kosovës nuk mund t’i zihet besë”, ka thënë mbrojtja e Thaçit.

Ai ka insistuar që e gjithë kjo të diskutohet në seancë dëgjimore publike.

“Unë nuk ju kërkoj të ndryshoni urdhrin që keni lëshuar por unë ju kërkoj që të flasim për udhëzime të mëtutjeshme, asnjë shqiptar nga Kosova nuk është liruar nga kjo gjykatë, nga një gjykatë e mëparshme janë liruar edhe serbë edhe shqiptarë por në këtë gjykatë jo, gjatë procedurës paraprake, pse, nuk paska asnjë kusht që do të garantonte që këta individë të paraqiteshin në gjykatë në momentin e duhur, të respektonin kufizimet e vendosura nga ju i nderuari gjykatës”, ka thënë avokati Kehoe.

Kehoe ka thënë se përmes seancës dëgjimore publike, gjykatësi i procedurës paraprake do të mund të bindej nëse ka apo jo masa mbrojtëse për të siguruar që Thaçi dhe të tjerët do të respektojnë kushtet e vendosura nga ai dhe se do të dalin para gjykatës sapo të urdhërohen.

Në konferencën mbi ecurinë e çështjes po merr pjesë edhe prokurori i specializuar Jack Smith, ndërsa të akuzuarit po e përcjellin seancën parmes video-lidhjes nga qendra e paraburgimit.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Kransiqi po mbahen në paraburgim nga nëntori i vitit 2020. Aktakuza ndaj tyre lidhur me pretendimin për krime lufte, është konfirmuar më 26 tetor 2020 ndërsa në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara në Hagë ata janë deklaruar të pafajshëm./ KSP


Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së kritikon ZPS-në për nxjerrjen e materialeve

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po mbahet konferenca mbi ecurinë e çështjes ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po akuzohen për kinse krime lufte. Mbrojtja e Thaçit dhe të tjerëve ka kritikuar Zyrën e Prokurorit të Specializuar se nuk po i respekton afatet për nxjerrje të materialeve. Avokatët kanë ngritur shqetësim edhe lidhur me problemin teknik që ka sistemi në të cilin ZPS i ndan me mbrojtjen provat të cilat i ka.

Nga Zyra e Prokurorit të Specializuar kanë thënë se deri më 31 janar 2022 besojnë se do të nxjerrin materialet. Sipas ZPS-së, nga 11 mijë e 300 materiale janë rreth 500, të cilat ende nuk janë përkthyer në gjuhën shqipe.

Mbrojtja e Kadri Veseli, Ben Emmerson ka thënë se më shumë se 11 mijë materiale i kanë marrë pas afatit për nxjerrje të materialeve që ishte 23 korriku i këtij viti, nga 13 mijë e 800 materiale sa ishin gjithsej.

“Gjithmonë ky volum rritet para konferenca për ecurinë e çështjes dhe unë pajtohem me atë që tha zotëri Kehoe dhe kërkesën e tij, sa materiale të tjera kanë ende për të dhënë, në përgjithësi të kemi një ide sa duhet të presim, a do të na sjellin materiale të shumta, një volum të madh materialesh ën janar apo jo”, ka thënë Emmerson.

Ndërsa lidhur me materialet shfajësuese, avokati Kehoe ka thënë se prokuroria nuk u ka dhënë materialet shfajësuese të cilat i posedon.

“Nuk është detyra e mbrojtjes që në çdo çast të përpiqet të ushtrojë presion mbi prokurorinë që të marrë vesh se çfarë materialesh kanë ata, ne e dimë se i kanë materialet shfajësuese dhe e dimë që kanë ardhur nga burime kompetentë dhe këto materiale nuk na janë dhënë. Atëherë kur do t’i vijë fundi kësaj pune, kur do ta përfundojë nxjerrjen e materialeve të rregullës 102.3, kjo është shumë e rëndësishme që çështja të ecë përpara, procedura të ecë përpara sepse do të vijë janari e ky informacion mund ta na jepet vetëm në janar, dhe ne kërkojmë ndërkohë që prokuroria të përmbush detyrimet e veta pa na dhënë këto shprehjet e përgjithshme që ne do t’i shqyrtojmë këto në vijimësi dhe t’i japim dokumentet në vijimësi mbrojtjes”, ka thënë avokati Kehoe.

Ndërsa avokati mbrojtës i Rexhep Selimit, David Young ka thënë se në materialet të cilat po u dërgon ZPS nuk po specifikon se cilat materiale i përkasin cilit dëshmitar.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Kransiqi po mbahen në paraburgim nga nëntori i vitit 2020.

Aktakuza ndaj tyre lidhur me pretendimin për krime lufte, është konfirmuar më 26 tetor 2020, ndërsa në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara në Hagë ata janë deklaruar të pafajshëm./KSP