Arbëri

Rizvanolli: Mjetet e parapara për import të rrymës për tërë vitin u shpenzuan për dy muaj

12 milionë euro ishin paraparë për t’u shpenzuar gjatë tërë vitin për importimin e energjisë elektrike, por këto mjete janë shpenzuar vetëm në dy muaj, ka bërë të ditur ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli në Komisionin Parlamentar për Ekonomi.

Sipas saj, çmimet e importit janë pesëfish më të larta.

“ZRRE ka hapur kërkesën e shqyrtimit të jashtëzakonshme të tarifave në përputhje me obligimet ligjore duke qenë se shpenzimet e operatorëve janë shumë më të larta sesa ka qenë e parashikuar. Shpenzimet e importit kanë arritur në 12 milionë për periudhën nëntor-dhjetor, teksa ka qenë e paraparë që për tërë vitin të shpenzohen jo më shumë se 12 milionë për import”, ka thënë ajo, raporton EO.

“Aktualisht energjia elektrike gjatë ditës shitet me çmimin prej 7 centë për kilovat, përderisa çmimet e importit janë minimalisht pesëfish më të larta dhe është çështje kohe derisa një kompania do të mundet që ta përballojë këtë. Probleme kemi edhe nga ana e KOSST-it për shkak që nuk janë kryer pagesat nga ana e KEDS-it dhe KEK-ut për tarifat dhe për blerjen e energjisë nga ana e KOSST-it me çmime të larta par shërbime të balancimit të sistemit”, ka vazhduar Rizvanolli.