Arbëri

1000 specializantë në Kosovë janë pa pagesë

Pleurat Sejdiu, kryetar i Odës së Mjekëve të Kosovës, ka thënë se 1000 specializantë, nga 1427 sa janë në Kosovë, nuk paguhen për punën që kryejnë si mjekë.

Sejdiu ka thënë në “60 Minuta” të KTV-së, se këta 1000 specializantë janë me subvencione dy ose tremujorshe dhe në mëshirën e Qeverisë.

“Sot doli shifra e saktë, statistika e saktë ishte se janë 1427 specializantë në tërësi, ndër ta vetëm 427 janë me pagesë, 1000 të tjerë janë me subvencione dy-mujorshe, tre-mujorshe, në të vërtetë janë janë në mëshirë të Qeverisë a ka të holla apo jo. Prandaj e kemi ngritur zërin se ai proces është komplet i degraduar dhe pa asnjë planifikim. Ky 1000 janë futur nga ish-Qeveria në lajthitje dhe kanë mbetur në rrugë, një pjesë e tyre janë të martuar, kanë fëmijë, me çka të jetojnë ata. Viktimat janë ata që kanë pritur për shumë vite për specializim, janë vënë në lajthitje dhe tani kanë mbetur në rrugë”, ka thënë Sejdiu.

Sipas tij, dëshpërimi i parë ka qenë pritja e gjatë për specializim, i dyti që specializanti e ka marrë specializimin dhe nuk ka pagesë, dhe e treta çështja se ku do të punësohet ai.

Ai ka shtuar se problemi kryesor në Kosovë është çështja e Ligjit të Pagave.

“Problemi kryesore tek ne është çështja e ligjit, pasi Ligji i pagave, sidomos ajo pjesa e shëndetësisë, ka qenë me bazë të mirë që të vazhdohet tutje me atë Ligj. Ligji është dashur të procedohet më shpejtë. Nuk ka qenë mjaftueshëm as ai ligj, mirëpo ne si Odë kemi arritur në një konsensus se ajo është fuqia financiare momentale e Kosovës. Ne kemi kërkuar që Ligji të zbatohet në përpikëri. Me këto shtrenjtime të jetës, një mjek me 600 euro nuk ka asnjë stimulim më të vogël. Këto janë kërkesa që kanë filluar tash e dy vite, mirëpo gjatë gjithë kohës së pandemisë, nuk di një organizatë profesionale që e kanë kërcënuar qeverinë në kohën e pandemisë se nuk do të punojmë nëse nuk do të na paguani. Në asnjë mënyrë nuk kemi ngritur zërin se janë pak, ne kemi vazhduar punën”, ka thënë Sejdiu.

Ai ka thënë se sistemi shëndetësor do të bie në kolaps, duke përmendur se për 10 vitet e ardhshme, prej vitit 2022 do të dalin në pension 1300 mjekë, ndërkohë që sipas tij, një pjesë e madhe po kalojnë edhe në sektorin privat të shëndetësisë.