Marigona Shabiu nga YIHR KS, ka thënë se edhe këtë vit ka pasur shkelje të shumta të të drejtave të njeriut.
Në Kosovë po mbahet fushata 16 ditët e aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore.
Shabiu ka thënë se janë rritur rastet e dhunës në familje e si pasojë edhe rastet me fatalitet, ku shumica e viktimave kanë qenë gra apo vajza.
Ajo ka përmendur edhe 11-vjeçarin të komunitetit ashkali nga Fushë-Kosova, Kujtim Veseli, që u dhunua dhe i vra.
“Shteti ka dështuar të përmbushë përgjegjësitë ligjore për mbrojtje të Kujtimit e shumë viktimave tjera. Qëllimi është të kërkojmë përgjegjësi, shteti e ka përgjegjësinë kryesore për gjitha këto veprime apo mosveprime, që përfundojnë me shkelje e humbje të jetës së njerëzve”, ka thënë Shabiu. “Erdhe këtë vit ne konsiderojmë se ka pasur shkelje të shumta, sidomos ato që ndodhi karshi grupeve të margjinalizuara, duke përfshirë gratë, vajzat, personat me aftësi të kufizuara, komunitetin LGBTI e po ashtu edhe komunitetet joshumicë. Kemi pasur situatë të jashtëzakonshme në dy vjetët e fundit, shkaku i pandemisë dhe rastet e shkeljeve janë theksuar. Rastet e dhunës në familje janë rritur. Janë rritur rastet e vrasjeve të grave pikërisht si rezultat i rritjes së dhunës në familje në baza gjinore”.
Shabiu ka thënë se sistemi i drejtësisë në Kosovë në përgjithësi ka mangësi të mëdha.
“Shkeljet më të madhe të drejtave të njeriut bëhen pikërisht në gjykata, për faktin e zvarritjes së madhe të lëndëve, është një prej shkeljeve të mëdha, po shkelet e drejta për të pasur gjykim në kohë të arsyeshme. Nuk është e arsyeshme nëse lënda zvarritjet mbi 10 vjet apo 12 vjet siç ndodhë”, ka thënë Shabiu.
Ajo ka folur edhe për aktgjykimin në një lëndë nga Gjykata e Gjilanit, ku është përdorur gjuha seksiste.
“Kemi parë së fundi një aktgjykim skandaloz që doli nga Gjykata Themelore e Gjilanit, aktgjykim që fajëson viktimën dhe e moralizon një krim që ka ndodhur karshi një vajze, Krejt kjo tregon për mendësi patriarkale e mendësi që legjitimon e amniston”, ka thënë Shabiu.
Ajo për rastin e Kujtim Veselit ka thënë se ka pasur diskriminim të madh ndaj tij vetëm pasi ishte i një komuniteti pakicë.
“Në rastin e Kujtimit ka qenë diskriminim flagrant që është bërë racizëm ndaj tij, pasi rasti nuk është trajtuar me seriozitet e është edhe në shkresat e lëndës së tij, ka pasur elemente të racizmit që ka gjetur avokatja e tij, vetëm se i takonte një komuniteti pakicë në Kosovë. Policia dështoi të përmbushte obligimet”, ka shtuar Shabiu.