Arbëri

Ambasadori gjerman në Beograd: Duhet zbatuar gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel

Ambasadori i Gjermanisë në Beograd, Thomas Schieb, ka thënë se qëndrimi i Gjermanisë ndaj Kosovës do të mbetet i pandryshuar, edhe me qeverisjen e re në Gjermani.

Schieb në anën tjetër ka thënë se Gjermania e mbështet dialogun Kosovë – Serbi të ndihmuar nga BE-ja dhe ka thënë se gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel duhet implementuar, përfshirë edhe Asociacionin.

“Qëndrimi ynë për Kosovë mbetet i pandryshuar. Ne presim normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë e Kosovës. Rruga drejt kësaj mund të jetë vetëm dialogu në Bruksel. Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak ka mbështetjen e plotë të Gjermanisë. Të gjitha që janë dakorduar në dialogun në Bruksel duhet edhe të zbatohen. Kjo vlen si për Asociacionin, ashtu edhe për çështjen e energjisë”, ka thënë Schieb për gazetën serbe “Politika”.

Schieb ka shtuar se Gjermania do të vazhdojë të mbështesë integrimin evropian të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndërsa thotë se kjo është treguar edhe me marrëveshjen e arritur të koalicionit qeverisës në Gjermani.

Ai thotë se Serbia ka ngecur në disa fusha, dhe se shpejtësia e hapjes së bisedimeve për anëtarësim në BE nuk varet nga vet BE-ja por nga Serbia dhe shpejtësia e reformimit, veçanërisht në sundim të ligjit e demokraci.