Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për gazetën malezeze “Pobjeda”, ka përsëritur se nuk do të lejohet bosnjëzimi i Kosovës.
Ai ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po kërkon bosnjëzimin e Kosovës me anë të themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, por se nuk do të lejohet kjo.
“Gjatë vitit 2013 është bërë shumë presion mbi deputetët që të arrihet shpejt ajo marrëveshje e Asociacionit. Mungonte transparenca e informacioni. Sot, institucionet e Kosovës drejtohen nga njerëzit që kundërshtuan marrëveshjen e vitit 2013, dhe që arritën fitore plebishtare në zgjedhjet e 14 shkurtit, 2021”, tha Kurti. “Së dyti, aktgjykimi i Kushtetueses i dhjetorit të vitit 2015 me të drejtë thotë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe nuk është i integruar në sistemin ligjor dhe kushtetues të Kosovës. Gjithashtu Kushtetuesja konstatoi se vetë ideja e Asociacionit shkel 23 nene të Kushtetutës së Kosovës, e cila nuk parasheh asnjë integrim territorial në baza etnike. Ne kemi një krijim të tillë në Bosnjë-Hercegovinë, quhet Republika Sërpska. Beogradi dëshiron një krijim të ngjashëm në Kosovë. Shpresoj të kemi nxjerrë mësime nga e kaluara dhe kemi studiuar e analizuar saktë Serbinë e politikën e saj. Të cilën, për fat të keq, e kemi ndjerë në lëkurën tona. Dua që dialogu të bëhet për të drejtat dhe nevojat e qytetarëve, e jo për shkëmbime territoreve. Ne jemi një shtet demokratik dhe zgjidhje të tilla nuk do të jenë në tavolinë. Aleksandar Vuçiq më nuk e përmend demarkacionin me shqiptarët dhe zgjidhjet territoriale. Në vend të kësaj, ai kërkon “bosnjëzimin” e Kosovës”: një entitet autonom serb brenda Republikës sonë për të bërë Kosovën një shtet jofunksional. Ai dështoi, sigurisht. Nuk ka ndarje të Kosovës”.
Kurti: Serbia po sillet në Ballkan si Rusia
Kurti thotë se me ardhjen e tij në pushtet, marrëdhëniet Kosovë – Serbi nuk janë as më të mira e as më të këqija. Ai thotë se Serbia është problemi më i madh dhe se situata në Ballkanin Perëndimor duket si një kopje miniaturë e Federatës Ruse.
“Marrëdhëniet mes Kosovës e Serbisë janë të njëjta: as më të mira e as më të këqija. Kemi punë me një shtet që nuk e njeh Kosovën, një shtet që është autokrat dhe pro-Moskë. Në anën tjetër, Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, ka integritetin e vet territorial, por edhe shumë probleme. Problemi ynë më i madh është Serbia, e cila nuk mund ta imagjinojë dhe as ta pranojë Kosovën si shtet fqinj të barabartë”, ka thënë Kurti. “Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për paqe dhe stabilitet afatgjatë, e për të arritur këtë, na duhen demokracia, drejtësia dhe zhvillimi, të cilat janë vlerat bazë evropiane. Fatkeqësisht, situata në Ballkanin Perëndimor duket si një kopje miniaturë e Federatës Ruse. Serbia po sillet në Ballkanin Perëndimor si Rusia: entiteti boshnjak po përpiqet që Republika Sërpskan ta kthejë në Bjellorusi, e Malin e Zi në Ukrainë. Në thelb, Serbia nuk e njeh shtetësinë e vendeve jashtë BE-së – Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Kosovës dhe madje as Maqedonisë Veriore. Përkundrazi: i konsideron këto shtete si të përkohshme dhe angazhon të gjitha kapacitetet e saj për ta shkatërruar shtetësinë e tyre. Janë dy shkaqe të tensioneve në rritje që po i prodhon Serbia. Mungesa e demokracisë dhe mospërballja me të kaluarën. Këto dy defekte të brendshme Serbia po i eksporton në rajon, duke destabilizuar atë. Në këtë kuptim, dialogun mes dy vendeve tona, Serbia e kupton si dialog për statusin e Kosovës, për çështjet e brendshme të Kosovës, e jo siç është realisht: dialogun për statusin e marrëdhënieve tona dhe normalizimin e tyre. Për ta pranuar këtë, Serbia duhet të ndryshojë: duhet të demokratizohet, të vendosë shtetin e së drejtës, të përballet me të kaluarën. Duhet të krijojmë një lloj simetrie të reciprocitetit të drejtave të pakicave”.
Kurti në intervistë për gazetën malazeze ka folur edhe për acarimin e situatës në veri, me vendosjen e reciprocitetit të targave. Ai thotë se Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, porse nuk mund të kërkojë nga Kosova që të mos e njoh veten.
“Marrëveshja e Brukselit për targa skadoi më 15 shtator të vitit 2021, ndaj kemi vendosur për reciprocitet në përputhje me detyrimet dhe të drejtat e qytetarëve. Qytetarët tanë ka më tepër se dhjetëc vjet që shkojnë në Serbi, por janë të detyruar të paguajnë 5 euro dhe të vendosin targa të përkohshme të Serbisë. Ky parim nuk vlente për automjetet e Serbisë që hynin në Kosovë. Si shtet vendosëm masën e reciprocitetit, pas së cilës anëtarët e strukturave ilegale të Serbisë bllokuan rrugët në Kosovë. Qeveria u detyrua të dërgoi njësitet speciale për ta mbrojtur policinë tonë kufitare. Në ndërkohë u dogj qendra e regjistrimit të automjeteve në Zubin Potok, për fat të mirë nuk ka shpërthyer një bombë dore, e ishte e kuptueshme se bëhet fjalë për sulm të organizuar ndaj institucioneve të vendit tonë. Informacionet nga institucionet tona të sigurisë thonë se bëhet fjalë për persona me precedentë penalë. Disa prej tyre morën pjesë edhe në tentativën për grushtshtet në Mal të Zi në vitin 2016. Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por nuk mund të kërkojë nga ne që të mos e njohim veten. Ne duam të heqim barrierat, por përderisa Serbia insiston në barriera, ne i përgjigjemi në mënyrë të ligjshme. Qytetarët e Kosovës gjithmonë kanë kërkuar që të trajtohen ashtu siç i trajton Kosova qytetarët e vendeve tjera. Ne kërkojmë marrëdhënie të barabarta ndërshtetërore, respektim të të drejtave universale dhe drejtësi mes shoqërive. Qytetarët e Kosovës dhe autoritetet e Kosovës nuk mund të diskriminohen apo pengohen”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka shtuar se gjithmonë kur Serbia flet për mbrojtje, e ka fjalën për sulm. Këtë e tregoi edhe në rastin e aplikimit të reciprocitetit të targave.
“Kemi parë edhe në rastin e aplikimit të reciprocitetit të targave dhe situatës së krijuar në vendkalimet kufitare në Bërnjak e Jarinje. Fatkeqësisht Serbia reagoi ashpër, duke mbledhur trupa në kufi, duke përfshirë tanke T-72, autoblinda ‘Lazar 3’ dhe mjete luftarake BOV M16 Milosh; në të njëjtën kohë angazhoi aeroplanët luftarakë rusë MIG29, si dhe helikopterë rusë luftarakë. Serbia shpenzon shumë më tepër për ushtrinë sesa pesë vendet tjera të Ballkanit Perëndimor së bashku. Pavarësisht kësaj, ka marrë ndihmë e donacione nga BE-ja, pa detyrim për të zbatuar vlerat evropiane. Serbia në vend se të demokratizohet është militarizuar nga Rusia e Kina”, tha Kurti. “Sigurisht nuk u trembëm. Kosova nuk u tërhoq, në fund gjithçka përfundoi në Bruksel. Jam i kënaqur që kemi vendosur një masë reciproke sa i përket targave”.
Kurti: Rusia është nostalgjike për epokën sovjetike, si Serbia për Jugosllavinë e dikurshme të dominuar nga Millosheviqi
Kurti ka thënë se Rusia po përpiqet ta dobësojë BE-në deri në shpërbërje dhe është nostalgjike për epokën sovjetike ngjashëm si Serbia që është për Jugosllavinë që dominohej nga Slobodan Millosheviqi.
“Është e qartë se Rusia vazhdimisht po përpiqet ta dobësojë BE-në deri në shpërbërjen e saj. Ashtu si Serbia që është nostalgjike për Jugosllavinë, e cila dominohej nga Slobodan Millosheviqi dhe komandonte ushtrinë jugosllave të viteve 1990-ta, presidenti rus është nostalgjik për epokën sovjetike, kur forcat sovjetike sundonin Evropën Lindore. Nostalgjia për pushtet është ngjashmëri tjetër mes Rusisë dhe Serbisë, dhe rrit rrezikun për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Por, besoj se këto përpjekje do të dështojnë. Ne i njohim mirë dhe aleancat e partneritetet tona me Perëndimin janë të palëkundura”, tha Kurti,
Ai ka shtuar se negociatat në Bruksel mes Kosovës e Serbisë varen nga gatishmëria e Serbisë për të ndryshuar.
“Në Bruksel po zhvillohen bisedimet mes grupeve teknike të drejtuara nga kryenegociatorët tanë. Suksesi i negociatave dhe normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë në radhë të parë varet nga gatishmëria e Beogradit për të ndërruar qëndrimin. Nuk ka pluralizëm në Serbi. Ata thjeshtë pretendojnë se janë demokraci”, ka shtuar Kurti.
Kurti: Nuk ka Ballkan të Hapur derisa Serbia të jetë e mbyllur për Kosovën
Sa i përket Ballkanit të Hapur ai ka përsëritur se nuk mund të ketë diçka të tillë derisa Serbia është e mbyllur për Kosovën. Ai ka shtuar se më tepër ngjason në Ballkan të hapur ndaj ndikimeve të Lindjes.
“Nuk mund të kemi Ballkan të Hapur derisa Serbia të jetë e mbyllur për Kosovën, derisa të mos i pranojë pasaportat tona, dokumentet identifikuese, diplomat, certifikatat dhe vulat e Kosovës. Ballkani i Hapur është më shumë si Ballkan që është i hapur ndaj ndikimeve të Lindjes, veçanërisht të Rusisë dhe Kinës, e hapur ndaj autokracisë, korrupsionit e kriminelëve të luftës. Të gjitha janë në kundërshtim me vlerat demokratike evropiane dhe të shtetit të së drejtës. Kosova e kundërshton këtë, duke insistuar se Evropa është kontinenti ynë dhe BE-ja fati ynë”, ka deklaruar Kurti.
E për SHBA-në ai ka thënë se Qeveria e Kosovës po punon ngushtë me administratën Biden dhe se prania e trupave amerikane në Kosovë është një manifestim i përkushtimit të Amerikës ndaj Kosovës dhe sovranitetit të saj.
“E mirëpresim angazhimin amerikan në Ballkan, por për vetë intensitetin dhe angazhimin vendos SHBA-ja. Qeveria e Kosovës punon ngushtë me administratën e presidentit Biden për të forcuar demokracinë, për të zbatuar reformat e nevojshme për anëtarësimin në NATO dhe BE e për të thelluar miqësinë për të garantuar paqen dhe sigurinë e qëndrueshme në Ballkan Perëndimor e Evropë. Prania e trupave amerikane në Kosovë është një manifestim i përkushtimit të Amerikës për Kosovën dhe sovranitetin e saj, si dhe për paqen në rajon e Evropë”, tha Kurti.
Kurti tregon arsyet për rezultatin jo të mirë në zgjedhjet lokale
Për rezultatin jo të mirë në zgjedhjet lokale të 17 tetor, Kurti ka thënë se ka mundur të ketë pasur lëshime nga strukturat ë Lëvizjes Vetëvendosje, porse thotë se nuk nënkupton se qytetarët e duan më pak Vetëvendosjen.
“Mund të ketë pasur lëshime nga ana jonë, nga strukturat tona. Megjithatë besoj se qytetarët nuk duan më pak Lëvizjen Vetëvendosje. Në të kundërtën. Në zgjedhjet e 17 nëntorit ishim të parët në numrin e përgjithshëm të votave në nivel vendi, ashtu si në zgjedhjet parlamentare. Por do të kemi katër kryetarë të komunave. Aty ku jemi opozitë do të bëjmë opozitë të mirë e të fortë. Aty ku jemi në pushtet do të bëjmë qeveri të mirë e efikase”.