Vizita e paralajmëruar e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është shtyrë për pjesën e parë të vitit të ardhshëm, kanë njoftuar nga Qeveria.
Vizita e Kurtit ishte planifikuar të bëhej në muajin nëntor, por për arsye të paqarta ajo është shtyrë për në fillim të vitit 2022.
“Kryeministri Kurti do të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vizita e paralajmëruar për në nëntor është shtyrë për në pjesën e parë të vitit të ardhshëm. Që nga marrja e detyrës, tetë muaj më parë, kryeministri Kurti ka zhvilluar vizita zyrtare në qendra të rëndësishme perëndimore si Bruksel, Paris e Vjenë e që do të vazhdojnë edhe në qendra të tjera vendimmarrëse, përfshirë Uashingtonin”, njoftoi Qeveria.
Këtë vizitë e kishte paralajmëruar vetë kryeministri në një seancë të Kuvendit në shtator, pasi u raportua se iu kishte refuzuar viza nga Ambasada e SHBA-së.