Arbëri

Kurti ia sqaron diasporës pse pa vaksinë s’do t’i lejohet hyrja në Kosovë

Kryeministri Albin Kurti në një postim në Facebook me tetë përgjigje për tetë pyetje për masat e reja anti-COVID i është përgjigjur kërkesave të diasporës për sqarime se përse nuk do t’u lejohet hyrja në Kosovë pa e marrë të paktën një dozë të vaksinës.

Të martën që shkoi Qeveria miratoi masat e reja. Sikurse gjatë verës, kur masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit u shtrënguan kur morën fund vizitat e bashkatdhetarëve, edhe tani në prag të festave të fundvitit Qeveria vendosi që kushtëzimi i hyrjes në Kosovë me dy doza të vaksinës anti-CVOVID të fillojë tek më 3 janar. Deri atëherë qytetarët që ia mësyjnë Kosovës duhet të kenë së paku një dozë të vaksinës së bashku me testin PCR jo më të vjetër se 48 orë, apo një dozë të vaksinës së bashku me dëshminë se e ka kaluar COVID-19.

Kurti ka thënë se për të hyrë në Kosovë s’mjafton një test negativ PCR sepse të dhënat e fundit kanë treguar se varianti i ri i COVID-19, Omicron, përhapet më shpejt dhe e bën më pak të vlefshëm testin si dëshmi.

“P.sh., në dy avionë që janë nisur javën e kaluar nga Afrika e Jugut në Holandë, me gjithsej rreth 650 pasagjerë, pothuajse 10% të pasagjerëve rezultuan pozitivë në testimin pas mbërritjes, edhe pse testi negative ose vaksinimi i plotë ishte i obligueshëm para nisjes. Ndërsa, testi i shpejtë është dëshmuar të japë rezultate të gabuara negative (“false negative”) në një numër të konsiderueshëm të rasteve dhe, për këtë arsye, nuk do të konsiderohet më i pranueshëm si dëshmi”, ka thënë ai.

Kurti ka thënë se edhe dëshmia që një person e ka kaluar virusin nuk është e mjaftueshme për shkak se Omicron ka shfaqur rrezik të riinfektimit të njerëzve.

E vendimin që deri më 3 janar të jetë e mjaftueshme vetëm një dozë për të hyrë në Kosovë, Kurti e ka cilësuar si “kompromis”.

“Për të mos iu vendosur pengesa të paarsyeshme mërgimtarëve që dëshirojnë të kthehen në atdhe për festat e fundvitit, Qeveria ka vendosur të mos kërkojë menjëherë vaksinimin me dy doza. Po të kishte filluar, që tani, kërkimi i dy dozave të vaksinës për të hyrë në Republikën e Kosovës, kjo do të kishte pamundësuar ardhjen e atyre mërgimtarëve që ende nuk kanë marrë asnjë dozë, sepse doza e dytë e vaksinës nuk mund të merret menjëherë, por vetëm disa javë pas marrjes së dozës së parë. Si një kompromis i arsyeshëm, pra, Qeveria ka vendosur që ta pranojë si dëshmi vaksinimin me një dozë, por vetëm nëse shoqërohet ose me rezultatin negativ në testin PCR brenda 48 orëve të fundit, ose me dëshminë që udhëtari ka kaluar sëmundjen COVID-19. Në këto dy raste, bashkimi i dy dëshmive (dmth. vaksinimi me një dozë, bashkë me një dëshmi tjetër) jep më shumë siguri sesa një dëshmi në vetvete”, ka thënë tutje ai.

Kurti ka përsëritur vendimin se personat që tregojnë dëshmitë mjekësore se kanë kundërindikacione të vërtetuara për mosvaksinim, nuk do të detyrohen për t’u vaksinuar.

Qytetarët që vijnë pa asnjë dozë do të kenë mundësi të vaksinohen në pikat kufitare ose në Aeroport.

Masat parandaluese në një kohë kur në Kosovë po ka pak raste me COVID-19, Kurti i ka arsyetuar me rrezikun që mund të sjellë një shpërthim i ri i virusit në vend. Ka dhënë edhe dy arsye për këtë vendim.

“Kemi vërejtur në valët e mëparshme të kësaj pandemie se sa shpejt mund të kalojë një gjendje e shkëlqyeshme epidemiologjike në një gjendje të rëndë. Dalja jashtë kontrollit e situatës do të vinte me një çmim jashtëzakonisht të lartë, qoftë për jetën e shëndetin e qytetarëve, qoftë edhe për veprimtaritë ekonomike, kulturore dhe shoqërore të vendit, në rast të një mbylljeje eventuale. Qeveria e Republikës së Kosovës është e vendosur që të ndërmarrë çdo veprim brenda mundësive të veta për të ruajtur gjendjen e shkëlqyeshme epidemiologjike në vend, të cilën e kemi arritur bashkë si shoqëri. Për më tepër, ka edhe dy arsye të tjera për shtrëngimin e masave pikërisht në kufi. Së pari, gjatë javëve të fundit, rastet e COVID-19 janë rritur jashtëzakonisht shumë në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor. Kjo do të thotë se, për momentin, rreziku më i madh për një përhapje eventuale të COVID-19 në Kosovë vjen nga udhëtarët prej jashtë vendit. Së dyti, shfaqja e variantit Omicron, si dhe përhapja e tij në shumë vende evropiane brenda një periudhe të shkurtër, e ka detyruar Qeverinë që të veprojë me shpejtësi dhe vendosmëri në shtrëngimin e masave në kufi. Edhe më shqetësues është fakti se, sipas të dhënave paraprake, ky variant paraqet rrezik shumë më të lartë për grupmoshat e reja, sidomos për fëmijët nën moshën pesëvjeçare, në krahasim me variantet e mëparshme të virusit Corona”, ka thënë Kurti.

Se përse s’janë marrë masa parandaluese vetëm ndaj shteteve ku ka raste me Omicron, Kurti ka thënë se ndalesat selektive janë një hap prapa realitetit dhe të padobishme.

Kurti ka mohuar se kushtëzimi me vaksinë për hyrje të shtetasve të Kosovës në territor të shtetit të tyre nuk është shkelje e të drejtave të njeriut.

“Lidhur me këtë, disa fakte duhet të merren parasysh. Së pari, masat anti-COVID rishqyrtohen nga Qeveria në vazhdimësi sipas zhvillimeve të reja. Nëse përmirësohet apo qartësohet situata sipas të dhënave të publikuara nga OBSh-ja gjatë javëve në vijim, sidomos në lidhje me variantin Omicron, ky kushtëzim mund të hiqet dhe mund të ofrohet opsioni i karantinimit shtëpiak 7-ditor për ata që refuzojnë të vaksinohen. Së dyti, në disa vende të Evropës, vaksinimi është bërë i detyrueshëm për të gjithë popullatën ose për një pjesë të konsiderueshëm të saj (shih, p.sh., Austrinë dhe Greqinë), në të gjithë territorin e vendit. Masa e vendosur nga Qeveria është më e butë sesa kjo, sepse vendoset vetëm për ata që hyjnë nga jashtë por jo edhe për ata që janë tashmë brenda territorit të Kosovës. Ekspertët tanë shëndetësorë kanë vlerësuar se, tani për tani, një masë e tillë më e butë iu përgjigjet mjaftueshëm rreziqeve kryesore për përhapjen e sëmundjes COVID-19 në Kosovë. Këto rreziqe, edhe një herë, vijnë kryesisht nga jashtë vendit. Së treti, jo vetëm Republika e Kosovës por shumë e shumë vende të tjera të Evropës dhe të botës, po vendosin kufizime shumë më të rrepta (disa vende, p.sh., i kanë anuluar për një periudhë të caktuar të gjitha fluturimet nga jashtë), por me shpresë që këto kufizime do të jenë të përkohshme. Qeveria e ka situatën nën vëzhgim të vazhdueshëm. Jo vetëm kjo masë, pra, por edhe masat e tjera kufizuese, do të lirohen në momentin e parë që të ketë mundësi, gjithmonë pa e rrezikuar jetën e shëndetin e qytetarëve”, ka përfunduar ai.