Arbëri

Specializantët në protestë, duan përmbushje të kërkesave ose bojkotojnë punën

Specializantët e SHSKUK-së kanë paralajmëruar se nesër do të protestojnë që nga ora 9:00, për t’i shfaqur kërkesat e tyre, për të cilat thonë se prej muajsh nuk po u merren parasysh.

Përfaqësuesit e Këshillit të Specializantëve kanë thënë se po kërkojnë që të futen në paga të rregullta.

Sami Pnishi që është specializant në Klinikën e Neurokirurgjisë në Interaktiv të KTV-së ka thënë se

“Ne po kërkojmë të sigurojmë mbarëvajtje të shkollimit specialistik dhe jetë normale. Po kërkojmë që specializantët me vetëfinancim të kalojnë në specializantë me financim të rregullt. Ne nesër nga ora 9 kemi thirrur protestë për specializantët ata me vetëfinancim dhe me financim të rregullt. Janë diku 1300 specializantë. Ka më shumë se 1 vit që dërgohen kërkesa me çka dëshirojmë ne të përmirësohet, gjithmonë kanë hasur në vështirësi, zakonisht janë injoruar, edhe nëse anë pranuar ndonjëherë kanë marrë vetëm premtime gojarisht por asgjë e shkruar”.

Pnishi paralajmëroi se protesta do të pasojë me bojkot të punës po qe se nuk merren parasysh kërkesat.

“Nëse nuk ndërmerret diçka, ne do të bëjmë edhe bojkote edhe pse mund të penalizohemi. Bojkote duke mos i mbajtur kujdestaritë dhe ndoshta edhe duke e bojkotuar tërë punën”, ka thënë ai.

E, Uran Halimi i cili është specializant me vetëfinancim në Klinikën e Kirurgjisë Orale, ka sqaruar se si ka filluar puna e tyre në fillim të pandemisë.

“Kur ishte gjendja e pandemisë thonin se nuk kemi doktorë të mjaftueshëm dhe kërkonin që të angazhohemi në pika kufitare dhe para se të hapej konkursi e kemi bërë në mënyrë vullnetare. Kur u hap specializimi prapë i kuptuam, që kemi nevojë për ju por nuk mund tu paguajmë, por nuk mund të punosh tërë jetën pa një pagesë bazë”.

Halimi ka thënë se po injorohen nga Ministria e Shëndetësisë dhe se kalimi i tyre në staf të rregullt thotë se nuk ka ndonjë ndikim buxhetor të theksuar.

“Tash e një vit po merremi me këtë punë. Kemi pasur një injorancë totale të MSH, për këtë arsye kemi bërë kërkesë te kryeministri, kryeparlamentari dhe presidentja. Nga të tre asnjë përgjigje nuk kemi marrë. Nga MSH kemi pasur neglizhencë, fillimisht thoshin t’ua bëjnë zgjidhjen ata që u kanë pranuar”.

“Për subvencione ndahet vetëm 0.10 përqind e buxhetit total të shtetit. Nëse na kalojnë në kategori të rregullt shteti e ka impaktin buxhetor 0.12 përqind, që i bie rreth 600 mijë euro. Sipas diskutimeve me ministra e deputetë ky nuk është implikim buxhetor, ky nuk është pra problem për qeverinë por mungon vullneti nga MSH-ja për ta iniciuar një procedurë”.

Halimi u ka kërkuar sinqeritet institucioneve për mundësinë e përmbushjes së kërkesës së tyre.

“Mesazhi ynë do të ishte që të tregohen të sinqertë, a keni nevojë për mjekë apo nuk keni. Nëse kanë nevojë për mjekë, t’i realizojnë kërkesat që i kemi, nëse nuk kanë nevojë për mjekë atëherë hapni portat dhe po ikim të gjithë. T’u japim mesazh edhe të rinjve që janë në shkollim, që mos u mundoni ta merrni mjekësinë sepse 30 vite shkollim po shkojnë huq dhe po mbesim askund”.