1 perditesime
13:41

Hapet për qarkullim Rruga e Arbërit

Tanimë edhe zyrtarisht është hapur Rruga e Arbrit, e cila konsiderohet si një zhvillim i rëndësishëm infrastrukturor. Mbi 80% e këtij aksi rrugor është i kalueshëm, por menaxheri i projektit për ndërtimin e saj, bëri apel për drejtuesit e automjeteve që të tregojnë kujdes me shpejtësinë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka postuar një video nga ceremonia e hapjes së Rruga e Arbërit, ku ka shkruar se provizorisht kalohet me bajpas në Tunelin e Murrizit.

“Për shkak të formacioneve gjeologjike komplekse, puna ka ecur më ngadalë dhe përfundon në pranverë, kur rruga do të bëhet për vetëm 47 minuta, nga 1 orë e 20 minuta që bëhet sot ose nga 4 orë që bëhej deri dje”, ka shkruar ai.

Kryeqyteti tashmë do të lidhet më shpejt me zonën verilindore dhe qarkun e Dibrës përmes aksit prej 70 kilometrash, që përbëhet nga 6 tunele dhe 4 ura.

Aktualisht punimet për përfundimin e rrugës janë fokusuar në tunelin e Murrizit.

Rruga përfundon në Blladë, në kufi me Maqedoninë e Veriut me një gjatësi rreth 74 km.

09:55

Hapet sot për qarkullim Rruga e Arbrit në Shqipëri

Në ditën e Çlirimit, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama përcolli pamje nga Rruga e Arbrit, një zhvillim i rëndësishëm infrastrukturor që i shtohet natyrës së mrekullueshme dhe që hapet sot për qarkullim.

Rruga e Arbrit ka 7 tunele me gjatësi totale 8.5 km. Me një gjatësi rreth 74 km, ajo do të bëhet një korridor lidhës i rëndësishëm Lindje-Perëndim.

Ky investim i strategjik, jo vetëm do të afrojë qytetarët e Tiranës e gjithë Shqipërisë me Dibrën dhe Maqedoninë e Veriut, por do jetë një arterie e zhvillimit ekonomik dhe turizmit.

Kjo rrugë lidh rajonet lindore dhe verilindore të Shqipërisë duke përmirësuar transportin e banorëve që jetojnë në zonat në të cilën kalon rruga, si dhe siguron transportin e burimeve natyrore nëntokësore, siç është kromi, nga Bulqiza për në portin e Durrësit, i cili më pas eksportohet.

Gjithashtu, ky aks rrugor do të jetë rruga më e shkurtër që lidh Tiranën me Dibrën, si dhe me veriun e Maqedonisë, Dibrën e Madhe, Tetovën dhe Shkupin, pra do të jetë rrugë lidhëse ndërkombëtare.