Arbëri

Shala: Siguria në Kosovë është në nivel, çalime po ka në gjykata

Eksperti i sigurisë Drizan Shala vlerëson se siguria e përgjithshme në Kosovë është stabile.

Shala në emisionin “Sot” të KTV-së ka folur për ngjarjen e fundit në Gllogjan, ku pas një sulmi me armë në një autobus me nxënës u vranë tre persona, shoferi i autobusit e dy nxënës.

“Është rast që ka krijuar pasiguri në opinion, një disbalancë sa i përket stabilitetit të sigurisë së brendshme në Kosovë. Rast që në vetvete ka ngërthyer shumë pyetje që duhet t’u përgjigjen organet e drejtësisë dhe mekanizmi i sigurisë”, ka thënë Shala, i cili ka shtuar se duhet marrë mësime dhe se duhet marrë masa preventive që raste të tilla të mos përsëriten në të ardhmen.

Sa i përket sigurisë në vend ai ka thënë se Policia e Kosovës po e kryen punën e vet që e ka me ligj për të garantuar sigurinë. Porse problemi kryesor po janë gjykatat.

“Problemi kryesor është te procesi i mëtutjeshëm, kur po kalon procesi në gjykata, ku kemi një mbingarkesë të gjykatave me shumë lëndë që barten më pas nga pamundësia për t’iu qasur problemeve. Kjo po i jep komoditet kryesve të veprave penale që të ndihen të sigurtë në veprime të tyre dhe të vazhdojnë ato mëtutje. Zinxhiri nuk po funksion te aspekti gjyqësor, pasi sa i përket mekanizimit të sigurisë Policia me kapacitete të plota ka mbulueshmëri të jashtëzakonshme sa i përket shtrirjes së saj dhe mund ta garantojë sigurinë. Problemi kryesor është te gjykatat, sepse ka çalime aty. Është mirë që Qeveria e Kuvendi të merren me këtë, ngase ka shumë lëndë nga viti 2007-2008 që po barten nga viti në vit dhe askush nuk ka mundësi, nuk ka kapacitete të merren me këto çështje. Po atakohet siguria në mënyrë të tërthortë”, ka thënë Shala.

Shala ka folur edhe për paralajmërimet e fundit nga ambasadat se mund të ketë një sulm të mundshëm terrorist. Ai ka thënë se Policia e MPB-ja duhet të dalë sa më shpejt me një konferencë ku bëhet vlerësimi i sigurisë në vend në mënyrë që t’u kthehet qytetarëve siguria që e kanë pasur.

Sa i përket paralajmërimeve, ai ka thënë se zakonisht Ambasada Amerikane çdo fundit lëshon një komunikatë për qytetarët e saj ku u thuhet të shmangin vendet ku ka fluks si qendrat tregtare apo sheshet. Shala thotë se siguria në Kosovë është në nivel. Ai thotë sa i përket sigurisë publike Kosova është më mirë se vendet tjera në rajon, e sa i përket sigurisë nacionale është lartë në renditje fal bashkëpunimit me SHBA-në.

“Kosova sa i përket sigurisë së përgjithshme publike është më mirë se vendet tjera në rajon. Në aspektin nacional mund të themi me përgjegjësi të plotë se është e ranguar lartë në lista. Një partneritet i vazhdueshëm me partnerin tonë strategjik SHBA-në në nivel të sigurisë, të garanton siguri të pakontestueshme”, ka thënë Shala.