1 perditesime
Arbëri

Javën e ardhshme do të merren masa të tjera anti-COVID

Javën e ardhshme do të merren masa të tjera anti-COVID
Foto: Ilustrim
19:14

Javën e ardhshme do të merren masa të tjera anti-COVID

Ministria e Shëndetësisë ka paralajmëruar masa të reja anti-COVID për shkak të situatës epidemiologjike në vend.

Përmes një njoftimi, MSH-ja, bën të ditur se masat do të merren gjatë javës së ardhshme, sipas nevojës dhe zhvillimeve lidhur me COVID-19.

“Duke pasuar parasysh situatën epidemiologjike lidhur me COVID-19, variantet në qarkullim dhe, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik të popullatës, gjatë javës së ardhshme do të rishqyrtohen masat në fuqi dhe do të marren masa të tjera, sipas nevojës dhe zhvillimeve lidhur me COVID-19”, thuhet në komunikatë.

Në takimin e Komitetit nacional anti-COVID u konstatua se në Kosovë varianti Delta dhe Delta plus janë ende dominues, derisa thuhet se varianti i ri Omicron karakterizohet me shumë mutacione e përhapje të shpejtë dhe se nuk ka shumë informata rreth rezistencës së tij ndaj vaksinave.

“Për këtë qëllim u kërkua nga qytetarët e vendit që t’i zbatojnë masat në fuqi, të vaksinohen, derisa nga institucionet përgjegjëse, si Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse, u kërkuar që të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave dhe vendimeve në fuqi në zbatim të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës, në të gjitha degët e ekonomisë dhe veprimtaritë arsimore e institucionale.”

18:19

Mblidhet Komiteti anti-COVID

Saranda Ramaj

Është mbledhur të shtunën Komiteti anti-COVID në Kosovë, ka mësuar KOHA. Siç është mësuar, mbledhja ka pasur të bëjë për organizim të parandalimit të variantit të ri të COVID-19 që ka nisur të përhapet së fundmi në botë.

Pasi që ende në vend nuk është regjistruar ndonjë rast me variantin e ri, s’pritet të ketë masa shtesë parandaluese, përveç “përforcim të monitorimit”.

Javën e ardhshme pritet të ketë edhe mbledhje të ekipit të ekspertëve.

Shtetet rreth botës kanë nisur të vendosin masa të udhëtimeve ndaj shteteve afrikane me qëllim që të parandalojnë përhapjen e variantit të ri të COVID-19, të quajtur Omicron. Të dhënat e para tregojnë se ky variant ka potencial që të riinfektojë njerëzit, ka bërë të ditur OBSH-ja të shtunën. Varianti i ri Omicron është raportuar së pari nga Afrika e Jugut më 24 nëntor.

Për dallim nga vendet tjera në rajon, Kosova ka disa javë që ka shënuar shifra të ulëta të rasteve të reja me COVID-19. Aktualisht në vend janë 334 raste aktive.