Arbëri

Grave u bëhet thirrje të kërkojnë të drejtën e pronës për sigurinë e tyre

“Mos qëndroni viktimë e dhunës në familje për shkak se nuk keni ku të shkoni. Kërkojeni të drejtën tuaj në pronë!” është slogani i fushatës ndërgjegjësuese për lidhjen ndërmjet të drejtave pronësore dhe dhunës në familje, të mbështetur nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Forumi për Lidership dhe Diplomaci, Zyra e BE-së në Kosovë dhe Ministria e Drejtësisë.

Image

“Diskutimi i të drejtave pronësore në kuadër të 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore përçon mesazh të qartë se fuqizimi ekonomik dhe barazia gjinore janë parakushtet kryesore për krijimin e një shoqërie ku vajzat dhe gratë ndihen të sigurta, por edhe të fuqizuara. Diskutimet e tilla i shërbejnë qëllimit tonë të përbashkët final”, ka thënë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një ngjarje të organizuar të premten nga EULEX-i dhe Forumi për Lidership e Diplomaci. “Këto diskutime forcojnë më tutje përpjekjet tona për të luftuar dhunën ndaj vajzave dhe grave duke e bërë të qartë njëherë e mirë se nuk mund të tolerohet më që shkelja e të drejtës së trashëgimisë dhe të drejtës në pronë të shkaktojnë viktima të diskriminimit gjinor. Çështja e trashëgimisë nuk është vetëm çështje e izoluar, por prona është realisht instrument i fuqizimit dhe stabilitetit ekonomik mbi të gjitha”.

Image

Ndërkaq drejtoresha e këtij forumi, Njomza Emini, ka thënë se fushata e ka për synim fuqizimin e viktimave të dhunës në familje për të kërkuar të drejtën e tyre të pronës, që të pavarësohen financiarisht.

“Një pavarësi e tillë do t’i ndihmojë ato që të largohen nga marrëdhëniet abuzive”, ka thënë Emini duke shtuar se mungesa e qasjes në të drejtat pronësore, si dhe të drejtat ekonomike në përgjithësi, po promovon një kulturë të cenueshmërisë, ku shumë gra mund të ndihen se nuk kanë alternativë tjetër përveç qëndrimit në marrëdhënie abuzive dhe të dhunshme.

Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, ka thënë se të drejtat e kufizuara ekonomike për gratë krijojnë terren për dhunën në familje.

“Ndarja nga një marrëdhënie e dhunshme mund të jetë mjaft e vështirë nëse nuk keni pronë, dhe asnjë alternativë për të kërkuar strehim e mbrojtje. Nëse nuk keni të ardhurat tuaja, madje mund të vendosni të toleroni të patolerueshmen dhe të qëndroni në marrëdhënie abuzive. Strehimoret dhe shtëpitë e tjera të përkohshme për viktimat e dhunës në familje ofrojnë mbrojtje dhe mbështetje të përkohshme. Ato janë të mirëseardhura dhe të nevojshme. Por strehimoret nuk janë zgjidhje e përhershme”, ka thënë ai.

Wigemark po ashtu është shprehur se viktimat e dhunës në familje kanë nevojë për mbështetje afatgjatë publike për t’u shkëputur nga qarku vicioz i të qenit të varura ekonomikisht dhe financiarisht nga abuzuesit e tyre.

Image

“Për të qenë më konkret, komunat këtu në Prishtinë dhe gjetkë në Kosovë duhet të sigurojnë banim publik të subvencionuar për viktimat e dhunës në familje, të cilat nuk kanë pronë të vetën. Kjo është detyrë për kryetarët e komunave të zgjedhur rishtazi, ku shumica dërrmuese janë burra”, ka deklaruar Wigemark.

Sipas Kushtetutës së Kosovës dhe legjislacionit përkatës, të gjithë qytetarët gëzojnë të drejta të barabarta pronësore. Megjithatë, të dhënat tregojnë se vetëm 17% e grave në Kosovë posedojnë pronë, ndërsa vetëm 7% e grave trashëgojnë pronë. Përveç kësaj, shumë gra të Kosovës çdo vit heqin dorë nga e drejta e tyre për të trashëguar pronën dhe pabarazia tashmë ekzistuese e pronësisë mbi pronën rëndohet edhe më tej.