Viteve të fundit ka pasur rritje të numrit të grave që e raportojnë dhunën në familje, por edhe të reagimit publik kundër dhunës me baza gjinore.
Rreth 30 për qind më i lartë sesa vitin e kaluar është numri i grave dhe fëmijëve që kanë kërkuar strehim në qendrën e vetme të strehimit të viktimave të dhunës në familje në kryeqytet.
"Këtë vit është e vërtetë që kemi pasur shtim të numrit të rasteve të dhunës në familje, nëse e krahasojmë me vitin paraprak, ku vitin e kaluar në periudhën janar-dhjetor jemi pasur gjithsej 74 raste. Ndërsa këtë vit në periudhën janar deri në ditën që po flasim kemi strehuar 108 raste, ku 58 janë fëmijë, këtu përfshihen edhe foshnja, si dhe lehona, do të thotë të gjitha kategoritë. Unë jodomosdoshmërisht këtë ngritje ia atribuoj COVID-19, për arsye se nga trajtimi i tyre kam kuptuar që ato nuk është se vetëm dy vjet kanë qenë të prekura nga dhuna, mirëpo kanë përjetuar dhunë sistematike për vite me radhë", ka thënë Elmedina Sejdiu, punëtore sociale në Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve.
Funksioni që e kryejnë strehimoret për krijimin e sigurisë, riintegrimin, shërbime psiko-sociale e kështu me radhë, është po aq esencial sa puna e policisë, gjyqësorit, prokurorisë dhe institucioneve të tjera, thonë përfaqësueset nga Rrjeti i Grave të Kosovës. Sipas Adelina Berishës, viktimat e dhunës në familje nuk integrohen në treg të punës përmes ndonjë programi institucional dhe shpesh, në mungesë të garantimit të banimit, kthehen në të njëjtën shtëpi ku kanë përjetuar dhunë.
"Normalisht që ka periudha kur janë më të mbingarkuara. Më shumë është kjo e ndërlidhur me faktin që në Kosovë nuk kemi shumë programe të rehabilitimit dhe riintegrimit, që ua kishin mundësuar grave pas periudhës gjashtëmujore, kur janë në strehim të kalojnë në një banim social, që të mos kthehen në familjet ku ndaj tyre është ushtruar dhunë. Mirëpo ne kemi shumë pak praktika të ofrimit të banimit social për këto gra, ndoshta mundemi t’i numërojmë në gishta rastet kur gratë kanë përfituar nga banimi social", u shpreh Adelina Berisha, menaxhere e Programit kundër Dhunës në Familje - RrGK.
Sipas Nazlie Balës, këshilltare e lartë politike në Ministrinë e Drejtësisë, obligimi i shtetit në raport me këtë çështje do të përmbushet duke e përfshirë edhe financimin e qëndrueshëm të strehimoreve. Qeveria, sipas saj, është e angazhuar në hartimin e strategjisë, ndërsa Kuvendi me projektligjin për adresim të dhunës në familje që, sipas saj, mund të ratifikohet brenda vitit.
"Të gjithë komponentët e Konventës së Stambollit prekin çështjen e aspektit të financimit, çështjen e zhvillimit të strehimit në vend dhe çështjen e programit riintegrues për të gjitha viktimat e dhunës në familje. Si vend që jemi dhe me të gjithë përvojën e strehimit Konventa e Stambollit do të ndikojë dhe do të ndërhyjë në riorganizimin e skemës së strehimit dhe në riorganizimin e skemës së banimit dhe zbatimit të programit riintegrues për të gjitha viktimat", tha ajo.
Në bazë të shifrave të Policisë së Kosovës, nga janari në shtator 2021 janë raportuar 1,819 raste të dhunës në familje, me 1,845 viktima, ku 1,437 janë gra.
Sfidat e strehimoreve për viktimat e dhunës në familje
Mungesa e vullnetit politik dhe moskoordinimi ndërkomunal janë parë si arsyet që po çojnë në vështirësi të menaxhimit të qendrave strehimore për viktimat e dhunës në familje.
Zana Hamiti-Asllani, drejtoreshë e Strehimores për viktimat e dhunës në familje për rajonin e Prishtinës, është ankuar në mungesë të përkrahjeve nga komunat. Ajo ka thënë se shpeshherë kryetarët e komunave, kur iu është afruar për kërkesë të ndihmës, i kanë thënë të adresohet te pushteti qendror.
Ndërkaq Dren Kukaj, drejtor për Mirëqenie Sociale në Komunën e Prishtinës, ka thënë se Prishtina është “komuna e vetme me platformë për mirëqenien sociale”.
Ai ka shprehur habi me gjendjen “e keqe” kur e ka marrë detyrën.
“S’besoj që ka pasur hezitim të qëllimshëm, por s’ka pasur vullnet të mjaftueshëm politik. Faji është gjithnjë te ata të veshur me pushtet vendimmarrës”, ka thënë ai në emisionin “Desku” në KTV.
Ndërkaq, Rrahman Jakupi, nënkryetar i Shtimes, ka thënë se kjo komunë e mbështet Strehimoren në rajonin e Ferizajt, edhe pse ka pak raste të viktimave nga kjo komunë.
Rexhep Kelani, zyrtar për Bashkëpunim Ndërkomunal në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, e ka quajtur shqetësuese veprimet e vonuara në këtë aspekt.
Madje ka thënë se për këto raste ka pasur edhe kthim të mjeteve të dedikuara nga vetë ministria.
Ai ka shtuar se bashkëpunimet komunale kanë qenë më efikase për infrastrukturë e fusha të tjera, sesa në atë të strehimit të viktimave.