Arbëri

Kodra – sindikatave të shëndetësisë: Mos i përdorni pacientët për qëllimet tuaja

Besim Kodra nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve i sheh shqetësuese grevat e punonjësve shëndetësorë në Kosovë dhe të dëmshme për pacientët.

Në emisionin “60 Minuta”, Kodra ka thënë se sindikatat e shëndetësisë duhet të zgjedhin forma të tjera për t’i kërkuar të drejtat e tyre, në vend të grevave.

“Për ne është shqetësuese greva që është mbajtur më herët, që po mbahet tani dhe që paralajmërohet se do të vazhdojë sepse pacientët po mbesin pa shërbim shëndetësor dhe janë të fundit që kanë faj në këtë betejë mes sindikatave dhe Qeverisë. Sindikatat duhet të zgjedhin forma të tjera për t’i realizuar qëllimet e veta dhe të mos i përdorim pacientët si mish për top për t’i arritur qëllimet që i kanë”, ka thënë ai.

Kodra ka thënë se pacientët po detyrohen të drejtohen në institucione shëndetësore private apo të qëndrojnë në shtëpi me problemet e tyre shëndetësore. Ndërsa pranon se pagat e stafit shëndetësor janë të ulëta, sipas tij, ato “nuk janë problemi i parë që do zgjidhjen në sistemin shëndetësor”.

“Sistemi duhet të reformohet dhe pas reformimit të rritet pagat”, shtoi ai.

Protestat, ka thënë Kodra, mund të jenë opsion që punonjësit ta përdorin për të shprehur pakënaqësitë, por jo që të ndërpritet puna.

“E kanë provuar me dialog social, opsion tjetër është të përdoren protestat por jo të ndalen shërbimet sepse pacientët vuajnë për to. Listat e pritjes janë mbi 4 vite për shërbime të caktuara dhe ti shtohet edhe një grevë, është e patolerueshme. Ka rrezik të prishë edhe paqen sociale të pacientëve, kemi revoltë që është shkaktuar nga mosmarrja e shërbimeve”.