Arbëri

Gërvalla: Lufta është kthyer sërish si kërcënim real në Ballkan

 

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, në takimin e Komisionit të Partneritetit në nivel ministror të Kartës SHBA-Adriatik (A5) që po zhvillohet në Zagreb të Kroacisë, ka thënë se lufta është kthyer sërish në kërcënim real në Ballkan.

“Më lejoni të flas drejtpërdrejt, pasi sa i përket sigurisë ndodhemi ndërkohë në një pikë shumë të vështirë. Më kujton situatën para 20 vjetëve. Edhe atëherë paralajmëronim që lufta do të ishte e pashmangshme, por askush nuk na merrte seriozisht. Sot përsëri po të përballemi rrezikun e një konflikti. Prandaj duhet të jemi shumë të qartë - mes nesh, evropianëve të vërtetë, këtu në rajon, dhe me partnerët tanë të fuqishëm evropianë, dhe mbi të gjitha me aleatët tanë amerikanë. Injorimi i realitetit asnjëherë nuk është zgjidhje e mirë. Nuk ka qenë një zgjidhje e mirë as në vitet e 1990-ta dhe do të ishte një zgjedhje e rrezikshme edhe tani. Javën e kaluar morëm pjesë në Forumin e Sigurisë në Halifax të Kanadasë për të alarmuar zyrtarët e NATO-s dhe të SHBA-vë, senatorët, partnerët dhe aleatët e tjerë. Fatkeqësisht nuk kemi të bëjmë më me një krizë, e cila do të zgjidhet vetëm duke dërguar në rajon disa diplomatë. Thjesht kemi pritur tepër gjatë dhe ngritja e mjeteve ushtarake, politike dhe propagandistike ka vazhduar për më shumë se një dekadë”, ka thënë Gërvalla.