Arbëri

SHBA-ja notë diplomatike Qeverisë për furnizimin me armatim

Shtetet e Bashkuara synojnë që të forcojnë kontrollin mbi armatimin që i dhurohet Kosovës në formë granti. KOHA sjell komunikimin që Ambasada amerikane ka zhvilluar me Qeverinë e Kosovës përkitazi me kërkesën që armatimi, i cili i dhurohet FSK-së, të mos rishpërndahet në asnjë njësi të Forcës së Sigurisë, të cilën SHBA-ja e ka identifikuar si të ndaluar dhe ka informacione të besueshme se ato njësi kanë bërë shkelje të rënda të të drejtave të njeriut. E, Qeveria ka zgjedhur një rrugë tjetër për miratimin e kërkesës amerikane, duke e implikuar edhe Kuvendin në çështjen e armatimit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar që makineria ushtarake dhuruar FSK-së të mos përdoret nga forcat e tjera të sigurisë në Kosovë, pa aprovimin e amerikanëve. Këtë kërkesë ia kanë shprehur Ministrisë së Punëve të Jashtme nëpërmjet një note diplomatike, të cilën duan që ta shndërrojnë në marrëveshje. Nota fillimisht u referohet diskutimeve të mëhershme ndërmjet Qeverisë së SHBA-së dhe Qeverisë së Kosovës në lidhje me ndihmën që ofrohet në bazë të grantit. Ajo derivon nga Akti i Ndihmës për të Huajt të vitit 1961 dhe Aktit për Kontrollin e Eksportit të Armëve.

Nota

“Në lidhje me këto diskutime, Ambasada propozon që Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Qeveria e Republikës së Kosovës të pajtohen që, pa pëlqimin e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Qeveria e Republikës e Kosovës nuk do të ofrojë asnjë ndihmë që merr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës sipas Aktit të Ndihmës së Jashtme të vitit 1961 ose Aktit të Kontrollit të Eksportit të Armëve, apo legjislacionit pasardhës, asnjë njësie të forcës së sigurisë të Republikës së Kosovës të cilën Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ka identifikuar Republikën e Kosovës përmes kanaleve diplomatike si të ndaluar për të marrë një ndihmë të tillë sipas nenit 620 të Aktit të Ndihmës së Jashtme të vitit 1961, i njohur si ligji ‘Leahy’”, thuhet në notën diplomatike, që ka arritur ta sigurojë KOHA, e datës 18 tetor.

Nëse propozimi është i pranueshëm për Qeverinë, Ambasada ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Jashtme që kjo notë të përbëjë marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së SHBA-së, e cila do të hynte në fuqi në datën e shënimit të Ministrisë.

“Nëse propozimi i mësipërm është i pranueshëm për Qeverinë e Republikës së Kosovës, Ambasada propozon që Ministria e Punëve të Jashtme ta vërejë këtë efekt dhe kjo notë do të përbëjë marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikë, e cila do të hyjë në fuqi në datën e shënimit të Ministrisë. Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Qeveria e Republikës së Kosovës mund ta ndryshojnë këtë marrëveshje me shkrim. Marrëveshja e tillë mund të ndërpritet në çdo kohë nga secila qeveri me njoftimin me shkrim nëntëdhjetë (90) ditë përpara qeverisë tjetër”, shkruan më tej aty.

Ligji “Leahy”

KOHA ka pyetur në Ambasadën amerikane nëse kanë identifikuar parregullsi në shpërndarjen e armatimit, por përgjigja ka munguar. Por një burim i afërt me Ambasadën amerikane ka thënë se “ndoshta” nota diplomatike ka të bëjë me ligjin “Leahy”.

“Nëse po, ky është një mesazh standard që u dërgohet ministrive në vendet që kanë marrëdhënie diplomatike me SHBA-në. Nuk ka asgjë të re në lidhje me protokollin që përfshin Ministrinë e Mbrojtjes dhe Qeverinë e SHBA-së. Në lidhje me Shitjet Ushtarake të Jashtme të armëve të SHBA-së, ju lutemi vini re se është një standard dhe jo asgjë e re që në të gjitha shitjet e armëve të SHBA-së qeveria e huaj bie dakord për kufizime në rishitjen ose ripërdorimin pa marrë pëlqimin e SHBA-së për ta bërë këtë”, ka thënë burimi.

E, ligji “Leahy” i cituar në notën diplomatike, u referohet dy dispozitave të cilat ia ndalojnë Qeverisë amerikane t’i përdorë fondet për ndihmë njësive të huaja të sigurisë kur ka informacione të besueshme dhe implikime se ato njësi kanë bërë shkelje të rënda të të drejtave të njeriut (GVHR). Kjo dispozitë ligjore zbatohet për Departamentin e Shtetit dhe Departamentin e Mbrojtjes. Ligji “Leahy” i Departamentit të Shtetit u bë i përhershëm sipas nenit 620 të Aktit të Ndihmës së Jashtme të vitit 1961. Qeveria e SHBA-së i konsideron torturën, vrasjen pa gjyq, zhdukjen e detyruar dhe përdhunimin nën ngjyrën e ligjit si GVHR- kur zbaton ligjin “Leahy”. Incidentet shqyrtohen në bazë të fakteve specifike. Ligji “Leahy” i Departamentit të Shtetit ka një përjashtim që lejon rifillimin e ndihmës për një njësi nëse sekretari i shtetit vendos dhe i raporton Kongresit se qeveria e vendit po ndërmerr hapa efektivë për të sjellë para drejtësisë anëtarët përgjegjës të njësisë së forcave të sigurisë.

Kapitulli i 11-të i Kushtetutës së Kosovës flet për sektorin e sigurisë dhe institucionet që e përbëjnë atë. Është Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), Këshilli i Sigurisë së Kosovës, Policia e Kosovës, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Autoriteti Civil i Aviacionit.

Arsyetimi i Qeverisë

Ministria e Mbrojtjes nuk ka ofruar përgjigje nëse kanë distribuuar armatimin që ka ardhur si grant nga SHBA-ja për njësitë e tjera. Në emër të tyre, është deklaruar Zyra e Kryeministrit Kurti.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, respektivisht Ministria e Mbrojtjes në koordinim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, si dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, ka disa ditë që janë të angazhuara dhe të koordinuara me SHBA-në, për arritjen e një marrëveshje në lidhje me asistencën e ofruar në formë granti sipas Aktit për Ndihmë të Jashtme të vitit 1961 dhe Aktit për Kontroll të Shitjeve të Armëve, ose legjislacionit pasardhës, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës tek Republika e Kosovës. SHBA-ja ka marrëveshje të tilla edhe me shumë vende të tjera që nga viti 1961, prandaj nuk ka asgjë të re apo të panjohur deri më tani”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit.

Sipas Zyrës së Kryeministrit, në fushën ushtarake “por jo vetëm, në shumë raste kur pranohen grante apo donacione, dhuruesi kujdeset se kush duhet të jetë përdoruesi i fundit, në mënyrë që malli i dhuruar të mos ndërrojë destinim, por të përdoret vetëm nga institucioni që me marrëveshje ka pranuar grantin apo donacionin, dhe ky është qëllimi edhe i kësaj marrëveshjeje”.

Në gusht të këtij viti, FSK-ja i ka pranuar 55 automjete ushtarake të dhuruara nga SHBA-ja. Automjetet janë të tipit ASV (Armored Security Vehicle). Prodhimi i këtyre automjeteve ushtarake ka filluar në vitet 90’ dhe ato përdoren gjerësisht në ushtrinë amerikane.

Ministria nuk ka treguar nëse ndonjëri prej tyre i është kaluar Policisë së Kosovës, apo ndonjë njësie tjetër.

E, në Policinë e Kosovës kanë folur për bashkëpunimin që kanë me FSK-në, por nuk kanë treguar nëse kanë në shfrytëzim mjete amerikane, që kanë ardhur si donacion.

“Bashkëpunimi mes Policisë së Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës është i shkëlqyeshëm dhe të dy institucionet kanë marrëveshje të bashkëpunimit, ku janë të përcaktuara fushat e bashkëpunimit me interes të ndërsjellët në segmentin e sigurisë, menaxhimit të emergjencave dhe trajnimet e përbashkëta. Bashkëpunimi i deritashëm ka qenë efektiv dhe ka për synim përmbushjen e misioneve dhe mandatit ligjor të Policisë së Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ndërsa, sa i përket çështjes së mjeteve të blinduara Polica e Kosovës posedon mjete të mjaftueshme për të kryer detyrat, përgjegjësitë dhe përmbushjen e misionit të saj operativ në terren dhe në trajnime”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Përgjigje nuk kanë ofruar AKI-ja dhe Autoriteti Civil i Aviacionit.

Hasani: Dy aspektet e notës

Profesori i së drejtës ndërkombëtare, Enver Hasani, ka thënë se nota trajton dy aspekte të rëndësishme.

“Aspekti i parë është që SHBA-ja dëshiron që përmes notës të shprehë pozicionin e vet sa i përket mënyrës së përdorimit të armatimit qoftë si grant apo në të ardhmen mund të jetë në forma tjera të livrimit që ai armatim të mos përdoret për qëllime tjera por ashtu siç e jep, pra si grant apo mënyrë tjetër të livrimit, ta zëmë që atë armatim të mos e përdorë policia ose institucionet tjera që nuk janë institucione ushtarake sepse ajo nënkupton potencialisht militarizimit të policisë”, ka theksuar Hasani.

“E dyta, nota shpreh qëllimin, përkatësisht është ofertë në të drejtën ndërkombëtare kontraktuese me të cilën kërkohet lidhja e një marrëveshjeje me të cilën nëse pala tjetër, këtë rast Kosova pranon, atëherë vjen te këmbimi i notave përkatësisht lidhja e marrëveshjes. Ky është standard që praktikohet shumë”, ka thënë Hasani.

Por, Qeveria ka zgjedhur një rrugë tjetër për ta miratuar kërkesën e SHBA-së. Nota nuk do të shndërrohet në marrëveshje, siç ka propozuar Ambasada, por në projektligj i cili do t’i përcillet Kuvendit për miratim.

“Pas marrjes së njoftimit për shkëmbimin e këtyre notave, Ministria e Mbrojtjes menjëherë ka filluar me procedurat për hartimin e Projektligjit për ratifikimin e notave diplomatike, nota këto të cilat pas ratifikimit do të përbëjnë marrëveshje. Projektligji është hartuar dhe i njëjti është proceduar në Ministri të Financave për marrjen e deklaratës mbi ndikimin buxhetor, si dhe në Zyrën Ligjore të Kryeministrit, Divizioni për të Drejtën e BE-së, për opinion rreth përputhshmërisë me legjislacionin e Bashkimit Evropian, ashtu siç e parasheh legjislacioni në fuqi”, kanë thënë në Zyrën e Kryeministrit. “Porsa të përfundojnë procedurat në Ministri të Financave dhe Zyrë të Kryeministrit, Ministria e Mbrojtjes do ta procedojë këtë projektligj në Qeveri për miratim, dhe pastaj Qeveria do ta procedojë të njëjtin në Kuvend”.

Sipas Hasanit, rruga e zgjedhur nga qeveria është gabim dhe nuk përkon me praktikat që aplikohen.

“Është gabim, është mosnjohje e gjërave për shkak se nota është, siç e thashë, ofertë për ekzekutivin që të bëhet marrëveshje sa i përket kësaj çështjeje, do të thotë mënyrës së përdorimit të armatimit në të ardhmen dhe është gabim, sepse potencialisht kjo përbën sekret ushtarak-lloji, mënyra, sasia - si do të bësh me Parlamentin”, është shprehur Hasani.

“Parlamenti duhet të ratifikojë marrëveshje për bashkëpunim politik ushtarak që është marrëveshje bazë, kurse kjo ofertë është për formimin e një protokolli për mënyrën e ekzekutimit të një aleance ekzistuese, marrëveshje ekzistuese për bashkëpunim politik dhe ushtarak mes dy vendeve. Prandaj s’ka nevojë të shkohet përmes Kuvendit, sepse kjo nuk është marrëveshje për bashkëpunim politik sipas Kushtetutës, as tek ne as në vendet e tjera. Do të thotë mënyra, sasia e livrimit të armatimit, lloji i armatimit, qëllimi i përdorimit janë çështje që më pastaj rregullohen me ligje sektoriale ku përcaktohet çka është sekreti ushtarak dhe në mesin e tyre vjen edhe kjo”.

Korrupsioni në ushtri

“Transparency Internacional” ka publikuar të martën Indeksin e Integritetit të sektorit të Mbrojtjes, sipas të cilit Kosova ka shënuar 42 pikë nga 100, duke e radhitur në mesin e vendeve me rrezik të lartë të korrupsionit në ushtri.

Këto të dhëna i ka bërë publike Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).

Diana Metushi-Krasniqi nga KDI-ja ka thënë se, sipas këtij indeksi, Kosova qëndron pak më mirë sesa Mali i Zi, i cili qëndron me rrezikun më të lartë në sektorin e mbrojtjes, me 32 pikë. Vlerësimi është bërë në pesë fusha të rrezikut.

“Në bazë të 75 treguesve, të cilët janë marrë për bazë për matjen e këtij indeksi, Kosova ka shënuar në total 42 pikë nga 100, që e bën Kosovën të radhitet në rangun e lartë të korrupsionit apo të rrezikut për korrupsion në rajon”, ka thënë Metushi. “Sa u përket ndikimeve politike, Kosova ka marrë 49 nga 100 pikët totale, kurse sa u përket financave në sektorin e mbrojtjes Kosova ka 43 pikë nga 100 pikët. Sa i përket menaxhimit të personelit të mbrojtjes, Kosova ka shënuar rezultat pak më të mirë, 56 pikë nga 100 pikët totale. Mirëpo, qëndrojmë mjaft ulët sa i përket preventivës apo masave kundër korrupsion në operacionet ushtarake në mungesë të politikave në adresimin e rrezikut, ndonëse Kosova ende nuk merr pjesë në operacion ndërkombëtar. Dhe, përfundimisht në prokurimin publik ka marrë 37 pikë nga 100 pikët totale”, ka thënë Metushi.

Dështimi për të korrigjuar këto çështje, sipas saj, mund të bëjë që shpresat e kosovarëve për një ushtri kombëtare profesionale të shuhen.

Sipas Indeksit të Integritetit në sektorin e Mbrojtjes (GDI), Maqedonia e Veriut ka dalë më së miri nga vendet e rajonit, derisa Zelanda e Re prin në nivel global.