Arbëri

Abdixhiku: Pas votave të diasporës, LDK-ja do ta fitojë edhe Dragashin

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pretenduar se partia që ai drejton ka fituar tetë komuna në zgjedhjet komunale të këtij viti. Ai thotë se do të jenë fitues edhe në Dragash, pas numërimit të votave nga diaspora.

Sipas rezultateve preliminare, LDK-ja ka fituar në shtatë komuna. Në Dragash udhëheq kandidati i PDK-së, Shaban Shabani me 5.648 vota apo 50.21 për qind, vetëm 47 vota më shumë se kandidati i LDK-së, Bexhet Xheladini, që ka 5.601 vota apo 49.79 për qind.

“LDK në këto zgjedhje ka fituar Prishtinën, Pejën, Lipjanin, Istogun, Fushë Kosovën, Vitinë, Junikun - dhe pas përfundimit të votave të mërgatës, do të fitojë dhe Dragashin. Fitorja në 8 komuna me kryeqytet, i mbi 170 mijë votave për asamble është arritje e madhe, jashtëzakonisht e madhe nga ku jemi nisur. Për këtë mburremi të gjithë. Për këtë ndihemi të përmbushur të gjithë”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

I pari i LDK-së tutje uroi të gjithë kryetarë e zgjedhur dhe i falënderoi për kontributin edhe kandidatët apo kandidatet që nuk ia dolën të ishin fitues. Abdixhiku gjithashtu shprehu falënderim për angazhimin e të gjithë aktivistëve të LDK-së në këto zgjedhje.

“LDK do të vazhdojë punën në rrugën e rigjetur. Me njerëz më shumë, punë më shumë, bashkëudhëtim më shumë. Një e ardhme e ndritur na pret përpara. Për këtë të mbetemi të sigurt. Në fund, nga zemra, një falënderim për të gjithë aktivistët e aktivistet e LDK-së, shtëpisë sonë politike, që na dhanë shtytjen e nevojshme përgjatë muajve të fundit. Me ju, çdo rrugëtim është i mundshëm!”.