Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka njoftuar se është informuar për disa incidente që sipas tyre kanë ndodhur në komunën e Junikut.
“Fatkeqësisht, duhet t’u informojmë për disa incidente, në Junik është regjistruar një person nga LDK i cili është munduar dhe ka ndikuar në procesin e votimit, një info tjetër një ish-kandidat i Vetëvendosjes i cili e ka sulmuar një komisionar të AAK , dhe kandidati për kryetar të komunës nga LDK në Junik është ndaluar nga policia sepse në qendër te votimit e ka kërcënuar drejtoreshën e shkollës përkatësisht menaxheren e qendrës së votimit”, ka thënë Besnik Tahiri nga AAK.
KOHA ka kontaktuar edhe me Policinë e Pejës, që mbulon komunën e Junikut, të cilët janë shprehur se janë në grumbullim të informacioneve dhe ende nuk ka diçka konrekte.
Tahiri tutje ka thënë se dalja e qytetarëve në votime deri në këtë kohë është më e vogël krahasuar me zgjedhjet e kaluara. Ai ka ftuar qytetarët që të dalin të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.
Në Junik, gara e balotazhit është ndërmjet kryetarit aktual nga AAK-ja, Agron Kuçi dhe atij ndaj LDK-ja, Ruzhdi Shehu.