Arbëri

Kronika Zgjedhore/ Kandidatët e LVV-së thirrje që komunat të mos bien në duart e PAN-it

Lëvizja Vetëvendosje me tubime të qytetarëve e ka mbyllur fushatën zgjedhore për balotazh. Krerë institucionalë e deputetë të Kuvendit u dolën në krah kandidatëve për kryetarë komunash nga LVV-ja, prej nga u bë thirrje që të votohen ndryshimet e nisura më 2017 në disa komuna, e më 14 shkurt të këtij viti edhe në nivel të qeverisjes qendrore

Alban Hyseni, kandidat për kryetar të Gjilanit, siç duket basketbollin e ka sport të preferuar. Gjatë ditës ai në Facebook e ka shpërndarë një video, ku edhe luan me disa të rinj dhe e shpalos programin për sportin.

“Një prej projekteve kryesore, pavarësisht që kemi lujtë sot basketboll është stadiumi i qytetit. Ne besojmë që me një qeverisje të përgjegjshme, që e menaxhon mirë paranë publike, Stadiumi i qytetit duhet të përfundojë në një periudhe të shkurtër”, ka thënë ai.

E Shpejtim Bulliqi, kandidat për kryetar të Podujevës, ka vendosur të ndajë premtimet në fushën e arsimit dhe të shëndetësisë. Ai së bashku me ministrat e kabinetit të Qeverisë Kurti premtuan ndërtimin e Spitalit në Podujevë dhe ndërtimin e disa çerdheve.

Fushatën për zgjedhjet e 14 nëntorit e mbylli edhe kandidati për kryetar të Prizrenit, Mytaher Haskuka. Qytetarë të shumtë me flamuj të Shqipërisë ishin mbledhur në sheshin afër Lidhjes së Prizrenit. Në tubimin e LVV-së në këtë komunë të pranishëm ishin edhe krerë institucionalë. Pretendenti për kryetar, Mytaher Haskuka, tha se qytetarët në vitin 2017 kanë vendosur për ndryshim në Prizren dhe nuk ka kthim prapa për PAN-in në kryeqytetin historik të Kosovës.

“Të dielën do të bëheni pjesë e krenarisë së Prizrenit. Katër vjet më parë ju me votën tuaj ndryshuat gjithçka që ishte e pandershme dhe e zezë. I thatë jo së keqes dhe i larguat ata që nuk e meritojnë Prizrenin. Prandaj vota juaj ka peshë. Prizreni në vitin 2017 ka vendosur për ndryshim dhe tani nuk duhet të kthehemi prapa dhe lënë në duar të PAN-it dhe grupeve të tyre kriminale”, tha ai.

Për ta mbështetur Haskukën edhe për një mandat në krye të Prizrenit ishte nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryetar i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca. Ai apeloi te qytetarët që ta votojnë Haskukën për kryetar, pasi, siç tha, do t’i sjellë zhvillim Prizrenit së bashku me kryeministrin Albin Kurti.

Konjufca pati edhe një epitet për kundërkandidatin e Haskukës, Shaqir Totaj.

“Ky kundërdandidati që i ka dalë përpara Mytaherit është veç ambalazh, a dini pse, siç kishte me thënë një prizrenali t’i po qel shaqir, por po del zafir. Prandaj Prizreni nuk kthehet prapa, por shkon drejt”, shtoi ai.

I bindur në fitoren e 14 nëntorit u shpreh edhe kryetari i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren, Artan Abrashi.

Derisa masat anti-COVID, sikurse edhe në Prizren, nuk u respektuan as në tubimin përmbyllës në Komunën e Podujevës.

Fushatën zgjedhore Lëvizja Vetëvendosje e ka mbyllur edhe në Komunën e Prishtinës, e që edhe këtu të pranishëm ishin edhe krerë institucionalë. Kandidati për kryetar të Prishtinës nga Lëvizja Vetëvendosje, Arben Vitia, në fushatën përmbyllëse në kryeqytet, ka thënë se do të punojë ta bëjë Prishtinën e jetueshme.

“Gjatë këtyre ditëve paraqitëm vizionin për Prishtinën. Zhvillimi i Prishtinës duhet të marrë vrull. Prishtina është e gatshme të ndryshojë gjithçka. Ajo çka mbetet e pandryshuar është mikpritja. Takuam ata që mundësojnë punësimin e qytetarëve tanë. Njerëzit punëtorë e kreativë. Të gjithë jemi për planin tonë në Prishtinën e jetueshme. Andaj sot jemi për këtë qytet kaq të dashur për secilin prej nesh. Të gjithë e dimë se mundemi edhe më shume”, ka thënë Vitia para simpatizantëve.

Nga Parisi, ku po merr pjesë në Forumin e Paqes, përmes një videolidhjeje kryeministri Albin Kurti ka kërkuar votën për Arben Vitinë, të cilin e quajti ilaç për punët e mira dhe të mëdha që e presin kryeqytetin.

“Vota për Benin e Lëvizjes të dielën është votë për të mbrojtur të gjitha gjërat që i kemi arritur shtatë muajt e fundit e për t’i vazhduar ato. Kudo që po shkoj po kam mundësinë që të flas për atë që po bëjmë në Kosovë, njerëzit janë të mrekulluar dhe veçanërisht për procesin e vaksinimit të udhëhequr nga Beni, e ky njeri na e zbardh fytyrën çdo detyrë që ia besojmë e prandaj duhet të udhëheqë kryeqendrën e Republikës..., të gjithë ta votojmë kthesën për zhvillim, shpresën për ndryshim e ilaçin për Prishtinën, pra Arben Vitinë”, tha Kurti.