Arbëri

Anëtari i ekipit mbrojtës të Thaçit mbështet Ramën në Prishtinë

Pjesëtari i ekipit mbrojtës të Hashim Thaçit në Hagë, Lirim Greiçevci, e ka quajtur kandidatin e LDK-së për Prishtinën, Përparim Rama, kandidati më i qëlluar dhe më profesional për kryeqytetin.

Teksa ka folur për arritjet e Ramës në profesion, Greiçevci ka kritikuar kundërkandidatin e tij nga Vetëvendosja, Arben Vitia, duke thënë se argumenti më i shpeshtë që është dëgjuar nga ai, është se ai e ka mirë me qeverinë.

“Nga debatet e fundit televizive dhe fushata në përgjithësi, tashmë është bërë krejtësisht e qartë që, arkitekti dhe urbanisti i shquar, Perparim Rama, është pakrahasimisht kandidat më i qëlluar, më profesional, më i përkushtuar, se sa kundërkandati i tij, Arben Vitija. Nga ky i fundit, argumenti më i shpeshtë që kemi dëgjuar është që ai e ka mirë me qeverinë aktuale. Ky është shantazh i pastër dhe përpjekje e dëshpëruar për korruptim të votuesve të Prishtinës. Kjo nuk mund të kalojë në demokraci”, ka shkruar Greiçevci në Facebook.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve të Prishtinës që të votojnë Ramën.

“Kthimi i trurit të Përparimit na duhet si anjëherë më parë. Kthimi i Përparimit është vlerë e shtuar për Prishtinën. Është diçka për t’u krenuar, e assesi për t’u kritikuar. Në fund, duke e njohur Përparimin edhe si njeri me vlera të larta familjare, ai, së bashku me gruan e tij sharmante, Kristalé Ivezaj Rama, e cila është mbase edhe më e zonja së vetë Përparimi, bashkë që të dy, do t’i japin një sharm të veçantë Prishtinës, brenda dhe jashtë saj. Vota për Përparimin është votë për një Prishtinë më të mirë, më moderne, më të përparuar, më londineze. Veç ma jua vizatu”, ka përfunduar Greiçevci.

Në zgjedhjet lokale të 17 tetori, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Arben Vitia ka fituar 42,33% të votave kurse kandidati i LDK-së, Përparim Rama 29,35% të votave.

Kthyer në vota Arben Vitia ka marrë 35 mijë e 433 vota ndërkaq Përparim Rama 24 mijë e 572 vota.

Balotazhi mbahet të dielën e 14 nëntorit.