Arbëri

Korenica pret përmbysje të rezultatit pa koalicione në Rahovec

Kandidati për kryetar të Rahovecit nga Vetëvendosja, Visar Korenica, i ka ftuar votuesit e partive që humbën zgjedhjet në këtë komunë, ta mbështesin programin e tyre katërvjeçar, duke nënkuptuar se nuk do të ketë koalicione.

Korenca tutje deklaroi se shumica e qytetarëve të Rahovecit janë duke pritur ndryshim, duke komentuar se a do ta arrijë ta përmbysë rezultatin e 17 tetorit.

“Sepse shumica e votuesve janë të zhgënjyer me qeverisjen e Latifit dhe të gjithë presin ndryshim. Kjo është ftesë për ata që e duan ndryshimin dhe ne besojmë se jemi alternativa për ndryshim. Të gjithë votuesit e partive të tjera, secilin prej tyre e vlerësojmë dhe i ftojmë që të na mbështesin për qeverisjen tonë katërvjeçare. Po ofrojmë një program që ka me qenë i përshtatshëm për të gjitha sferat dhe për të ecur në drejtimin e duhur”, u shpreh Korencia në “Interaktiv” të KTV-së, duke shtuar se një koalicion pas zgjedhor është shumë i mundshëm, pasi sipas tij, opozita në Rahovec dominon me shumicë numrash në asamble.

Sa i përket strategjisë së fushatës që ka zhvilluar, Korenca tha se kontakti i drejtpërdrejtë me qytetarë ka qenë më frytdhënës.

“Kemi zhvilluar fushatë të drejtpërdrejtë, i kemi takuar derë për derë, kemi pasur takime nëpër fshatra të ndryshëm dhe po shikojmë përmes tyre një ndryshim të mundshëm. Kontakti i drejtpërdrejtë me votues ka qenë më frytdhënës. Vetëvendosja është mundësia reale për zhvillimin e komunës tonë. Nuk besojmë se duhet të vazhdojë të jetë në krye një qeveri që nuk e ka prioritet zhvillimin e komunës”, shtoi ai.

Korenica mori 24.78 për qind apo 5.206 vota, ndërsa kryetari aktual dhe kandidati i AAK-së për këto zgjedhje, Smajli Latifi, mori 47.23 për qind apo 9.925 vota në raundin e parë të zgjedhjeve. Raundi i dytë do të mbahet më 14 nëntor.