Arbëri

Kronika Zgjedhore/ Konjufca nga Kaçaniku thotë se u ka ardhur fundi qeverisjeve të korruptuara

Descriptive Text

Kryetari i Kuvendit të Kosovës ka kërkuar nga qytetarët e Kaçanikut votën për Jeton Rakën, kandidat nga radhët e LVV-së, për kryetar të kësaj komune. Konjufca ka akuzuar pushtetin e deritashëm në këtë komunë për korrupsion dhe keqqeverisje

Me duartrokitje e me të qeshura është përcjellë takimi i së enjtes i qytetarëve të Kaçanikut me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, dhe kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje për këtë komunë, Jeton Raka.

Teksa kandidati për kryetar të Kaçanikut premtoi ndryshim në komunë, Konjufca e quajti mundësi të artë kandidaturën e Rakës.

Konjufca, njëherësh nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, e ka quajtur të domosdoshëm ndryshimin në Komunën e Kaçanikut.

“(Jetoni) është shndërruar sidomos në javët e fundit në emëruesin e përbashkët të të gjithë atyre që e konsiderojmë të nevojshëm ndryshimin në Kaçanik. Pavarësisht a janë vetëm Vetëvendosje si votues, apo të partive të tjera, kushdo që mendon se Kaçaniku duhet të marrë një kah tjetër, unë mendoj se më 14 nëntor do t’ia japë besimin Jeton Rakës, me një model të përgjegjshëm, i cili është afër me qytetin dhe fshatrat, si dhe të gjitha problemet i zgjidh duke bashkëpunuar. Prandaj po them se është me rëndësi që deri në momentin e fundit të angazhohemi pa u lodhur me një mirësjellje në mënyrë që t’i bindim qytetarët se e kanë një mundësi të artë në duart e tyre”, ka thënë ai.

Ndërsa pretendenti për të parin e Kaçanikut ka theksuar se pas 14 nëntorit do të ketë një qeverisje tjetër në Kaçanik, e jo “të atyre që e kanë zhvatur buxhetin komunal”.

“Përkushtimi i qeverisë duhet të jetë motiv për ne që të angazhohemi më shumë që të përmbyllim fitoren më 14 nëntor. Pasi nga 14 nëntori do të jetë një qeverisje tjetër, e pastër dhe ndershme, një qeverisje që nuk e zhvat buxhetin siç e kanë zhvatur të kaluarit”, ka thënë Raka.

Përkrahje kandidatit të Vetëvendosjes i kanë dhënë të enjten edhe simpatizuesit që ishin mbledhur në këtë tubim elektoral në Kaçanik.

Në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, Raka për kundërkandidat e ka kryetarin aktual të Komunës, njëherësh kandidatin e PDK-së, Besim Ilazi.

Në tubim, jo të gjithë ishin të interesuar që të dëgjonin premtimet e fushatës. Pasi që në pjesën tjetër të lokalit ku mbahej tubimi disa prej qytetarëve vazhdonin bisedën, pa u lënë përshtypje se çfarë po ndodhte përreth. E qytetarët të cilët ishin ulur për t’i dëgjuar folësit, patën edhe pyetje dhe falënderime për Konjufcën e Rakën.

“Edhe 48 orë i kemi, t’i japim edhe një shtytje”, ka thënë njëri prej qytetarëve që kishte ardhur nga diaspora në Kosovë.

Derisa, një tjetër qytetar ka thënë se beson që Konjufca nuk do t’i zhgënjejë asnjëherë. Kryeparlamentari ka folur gjithashtu rreth kundërshtarëve që Lëvizja Vetëvendosje ka në 12 komunat ku ka shkuar në balotazh.

“Unë ato parti i shoh si një edhe pse dallojnë logot dhe shkronjat e tyre. Ju kujtohet rrëzimi i Qeverisë Kurti 1, e që ka qenë një plan, e pikërisht pse ka qenë plan i këtyre të gjithëve, pikërisht pse u bënë një parti edhe pastaj akronimet u bënë pastaj plan, PDK, LDK, AAK, NISMA”, ka thënë ai.

Pas takimit, bashkë me qytetarët, Konjufca dhe Raka marshuan në qytetin e Kaçanikut, me ç’rast kreu i Kuvendit kërkohej nga qytetarët për t’u fotografuar.

Ndërkaq, fushatën për raundin e dytë të zgjedhjeve që mbahet të dielën e kanë vazhduar edhe kandidatët e tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje.

LVV-ja në Gjakovë e ka bërë publik në Facebook planin për infrastrukturë, duke specifikuar se synon që ta bëjë qytetin model për jetësimin e politikave të zhvillimit ekonomik.

E kandidati për kryetar të Kamenicës, Kadri Rrahimaj, ka publikuar në rrjetin social Facebook projektin për ndërtimin e hapësirave moderne për prodhuesit.

“Do të ndërtojmë Tregun e Gjelbër, në mënyrë që prodhuesit të kenë mundësi t’i promovojnë prodhimet e tyre vendore. Do të ndërtojmë Tregjet Mobile, me të vetmin qëllim që prodhuesit të jenë më të qasshëm te qytetarët. Sepse ne jemi të përkushtuar që mirëqenia e qytetarëve të jetë fokusi ynë kryesor”, ka shkruar ai në rrjetin social.