Arbëri

Rruga për në Holandë përmes Jarinjës

Foto: DW
 

Ura e vjetër hekurudhore mbi lumin Ibër në të gdhirë, shinat e hekurudhës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë mbuluar nga një mjegull e dendur. Nëpër shinat mbi urë dhe pastaj nëpër tunel shkon e vjen një herë në ditë treni nga Rashka për në Mitrovicë dhe anasjelltas, përmes pikës kufitare në Jarinjë. Në njërën anë të këtij tuneli është Serbia dhe në anën tjetër Kosova. Megjithatë në këtë hekurudhë nuk kalon vetëm treni. Shumë shpesh këtu kalojnë grupe emigrantësh.

Kjo është një nga rrugët alternative të rrahura nga emigrantët, sidomos që kur vitin e kaluar u ndërtua rrethoja me tela ndërmjet Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. Këtë e tregojnë edhe mbetjet ushqimore buzë shinave, të vetmet gjëra të dukshme në mjegullën e dendur të orëve të para të mëngjesit. Konservat e peshkut dhe ushqimet e tjera të lëna pas nga emigrantët, tregojnë se ato i kanë me vete që nga fillimi i udhëtimit – mbi to sheh mbishkrime arabe.