2 perditesime
21:15

Kandidati i VV-së për Gjilanin paraqet tri projekte për zhvillim ekonomik

Kandidati i VV-së për kryetar të Gjilanit, Alban Hyseni, ka paraqitur tri projekte për zhvillim ekonomik në këtë komunë.

Hyseni ka thënë se projektet përfshijnë krijimin e Zonës Ekonomike, shfrytëzimin e kapitalit financiar dhe intelektual të mërgatës, dhe zhvillimin e agroturizmit dhe turizmit rural.

“I kemi tri projekte kryesore për zhvillim ekonomik, i pari është Zona Ekonomike, një investim prej 7 milionë euro. Projekti i dytë është shfrytëzimi i kapitalit financiar dhe intelektual të mërgatës. Bashkërisht të hapim biznese ose start-up të reja në fushën e teknologjisë, ndërkaq projekti i tretë është agroturizmi dhe turizmi rural që zhvillimin ekonomik ta decentralizojmë edhe deri te bujku dhe fermeri përmes një investimi prej 1,6 milionë euro”, ka thënë Hyseni në “Zgjedhjet në KOHË” të KTV-së.

Hyseni ka premtuar po ashtu mjek familjar për secilën lagje të komunës së Gjilanit, ndërkohë që ka shtuar se shumica e problemeve në arsim do të eliminohen nga mënyra se si kanë planifikuar ta menaxhojnë arsimin.

20:35

Hyseni: Do të jemi të detyruar të shqyrtojmë mundësinë për koalicion në Gjilan

Kandidati për kryetar të Gjilanit nga Vetëvendosje, Alban Hyseni, ka thënë se do të shqyrtojnë mundësinë e koalicionit që të sigurojë qeverisje stabile.

“Jemi tek numri 10 në asamble komunale dhe na duhen së paku edhe tetë asamblistë për të siguruar një qeverisje stabile për 4 vjetët e ardhshme. Ne do të jemi të detyruar të shqyrtojmë mundësinë e koalicionit me subjektet e tjera politike dhe kjo do të ndodhë me rastin e përfundimit të zgjedhjeve dhe fitimin e kandidatit”, ka thënë ai.

Hyseni në Debatin për Gjilanin në KTV ka thënë se kundërkandidati nga radhët e LDK-së nuk ka qenë i qëndrueshëm në atë që ka thënë dhe se ka bërë koalicion me subjektet politike teksa sipas tij, i njëjti ka deklaruar diçka tjetër.

“Një prej vlerave përgjatë kësaj fushate është se kemi qenë të qëndrueshëm në ato që kemi thënë. Kemi qenë gjithmonë konsistent. Në anën tjetër e kemi kundërkandidatin që më 24 tetor ka thënë se do të shkojë në koalicion me qytetarët, ndërsa më 1 nëntor ka bërë koalicion me të gjitha partitë në Gjilan. Kjo tregon se gjendja për të nuk është e mirë. Nuk e injorojmë asnjë subjekt politik dhe asnjë votues”.

Nëse i druhet një koalicioni të tillë, Hyseni ka thënë se “nuk ka nevojë t’i druhemi” me arsyetimin se qytetarët janë të lirë të votojnë.

20:28

Hyseni: Kemi mposhtur njërën prej figurave më të njohura të LDK-së

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Gjilanit, Alban Hyseni, ka thënë se VV-ja në këtë komunë ka arritur ta mposhtë njërën prej figurave kryesore të LDK-së.

Në “Zgjedhjet në KOHË” të KTV-së Hyseni e ka kritikuar kundërkandidatin e tij, Lutfi Haziri, duke thënë se ai ka deklaruar që është kandidat përtej Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Kemi mposhtur njërën prej figurave më të njohura të LDK-së. Problemi është që nëse e krahasojmë në këtë kontekst, për shembull një deklaratë e tij ka qenë se ai është kandidat përtej LDK-së. Është koha që njerëzit që e shohin më shumë vetën se partinë, të lirojnë vendin dhe të vijë ai brez i ri që nuk e sheh as subjektin si alfa dhe omegën po as veten e tij”, ka thënë Hyseni.

Ai ka shtuar se është VV-ja në Gjilan është më e përgatitur dhe ka program më të mirë për qeverisje, duke thënë se beson thellë në fitore në balotazhin e 14 nëntorit.

“Ishte rezultat i pritur, pavarësisht faktit që thuhej se në Gjilan nuk do të kishte garë, por jo vetëm që ka garë por ka edhe fitore për VV-në. K y rezultat nuk është reflektim i vërtetë i përkrahjes që kemi në Gjilan. Unë e kam ditur që gara do të jetë e koncentruar mes nesh dhe LDK-së. Besoj që ka qenë një lloj trendi në gjithë Kosovën. Në shumicën prej komunave kemi koncentrim të madh të votave në dy subjekte. Unë besoj fuqishëm se puna jonë do të na nxjerr fitues padyshim”, ka thënë Hyseni.

Në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, Alban Hyseni ka fituar 44.7% të votave ndërkaq kandidati i LDK-së, njëherësh kryetari aktual i Gjilanit, Lutfi Haziri ka fituar 43.5% të votave.