Ka dështuar seanca e sotme gjyqësore e planifikuar në rastin “hidrocentralet” për shkak të mungesës së të akuzuarës Mimoza Kusari-Lila.
Kryetari i trupit gjykues Valon Kurtaj ka njoftuar se kërkesa e Kusari-Lilës për shtyrje ka ardhur të martën. Në kërkesë, Kurtaj ka thënë se Kusari-Lila ka përmendur rrethana personale. Në mungesë të saj s’ka pasur kushte për mbajtjen e procesit gjyqësor. Seanca është shtyrë për 8 dhjetor.
Aktakuza ndaj ish-ministres Kusari-Lila dhe disa ish-zyrtarëve të tjerë është qe një vit e gjysmë, ndërsa gjykimi është krejt në fillim.
Pos Kusari-Lilës për korrupsion të akuzuar janë edhe ish-ministrat Besim Beqaj, Nenad Rashiq, Dardan Gashi e ish-zyrtarët e KEK-ut, Arben Gjuka dhe Fllanza Hoxha.
“Hidrocentralet” një vit e gjysmë afat
Tetë vjet janë bërë prej se dyshohet se ka ndodhur kontrabandimi i katër hidrocentraleve bashkë me privatizimin e rrjetit të shpërndarjes së KEK-ut.
Hetimet kanë zgjatur më shumë se katër vjet. Aktakuza është ngritur tash e më shumë se një vit e gjysmë e gjykimi është krejt në fillim. Sipas analizës së KOHËS, ky gjykim nëse nuk arrin të përfundojë brenda një viti e gjysmë e gjithë lënda pritet të parashkruhet.
Neglizhenca e Prokurorisë se Shtetit për nxjerrjen me kohë të vendimit për hetim, para se të skadonte afati, ka shpëtuar 13 persona nga ndjekja penale.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 4 mars ka marrë vendim që t’i aprovojë ankesat e një pjese të të akuzuarve kundër aktakuzës.
Për 13 zyrtarët e akuzuar nga Prokuroria Speciale gjyqtari Valon Kurtaj ka vendosur që t’i pushojë hetimet.
Vepra penale e korrupsionit me kodin e vjetër ka qenë e dënueshme deri në pesë vjet. Aktvendimi për hetimin e këtyre zyrtarëve është zgjeruar duke kaluar në më shumë se shtatë vjet.
Sipas Kodit të Procedurës Penale për veprat që dënohen pesë vjet, aktvendimi për fillimin e hetimit duhet të nisë deri në ditën që bëhen pesë vjet nga kryerja e veprës penale.
Nëse një gjë e tillë nuk ndodh deri në ditën kur bëhen pesë vjet, çdo hetim konsiderohet i jashtëligjshëm – pasi që arrihet parashkrimi relativ, siç ka ndodhur edhe në këtë rast.
Gjykimi do të vazhdojë për gjashtë ish-zyrtarë të lartë të shtetit. Gjykata përmes këtij vendimi ka konsideruar së janë përmbushur kushtet që të gjykohen për korrupsion ish-ministrat Mimoza Kusari-Lila, Besim Beqaj, Nenad Rashiq, Dardan Gashi dhe ish-zyrtarët e KEK-ut, Arben Gjuka e Fllanza Hoxha.
Hidrocentralet të cilat dyshohet se i janë falur konsorciumit turk janë ai i Radavcit dhe i Lumbardhit, hidrocentrali në Burim dhe ai në Dikancë.
Dëmi i shkaktuar dyshohet të jetë më shumë se 12 milionë euro.
Gjyqësori nuk ka shumë kohë që ta përfundojë këtë rast me aktgjykim të formës së prerë. Në të dy shkallët për këtë rast do të duhej të vendosej deri në majin e vitit 2023. Në rast se një gjë e tillë nuk ndodh, atëherë edhe për të akuzuarit e mbetur rrezikohet që lënda të vdesë juridikisht për shkak të parashkrimit absolut.
Për rrezikun e parashkrimit të një pjese të këtij rasti, siç edhe ka ndodhur, “Koha Ditore” kishte raportuar disa herë, por një mundësi të tillë e pati kundërshtuar Prokuroria Speciale. Një hulumtim i gazetës kishte gjetur se bashkë me Distribucionin dhe Furnizimin, në vitin 2012 ishin privatizuar edhe katër hidrocentrale të vogla.
Për këtë rast, të akuzuar janë Besim Beqaj që në atë kohë ishte si kryesues i Komitetit Qeveritar për Privatizim, Mimoza Kusari-Lila, Nenad Rashiq, Dardan Gashi dhe Lorik Fejzullahu.