Arbëri

Rashiq: Partitë politike në Kosovë kanë bashkëpunuar ngushtë me Listën Serbe

Kryetari i Partisë Demokratike Progresive, Nenad Rashiq, ka komentuar për rezultatet në zgjedhjet e 14 tetorit, ku Lista Serbe ka fituar bindshëm në komunat me shumicë serbe.

Rashiq ka thënë se ky rezultat ka qenë i pritur pasi që Lista Serbe e ka përkrahjen e fuqishme të Beogradit zyrtar, ndërsa se me marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, jo vetëm që është bërë e mundur krijimi i kësaj strukture, por edhe që të marrë gjitha benefitet që janë përfshirë brenda Kushtetutës e ligjeve të Kosovës për komunitetin serb.

“Po ashtu Prishtina ka bashkërenduar, më saktësisht establishmenti i partive politike, ka bashkëpunuar ngushtë me Listën Serbe. Mund të nxjerrim raste të marrëdhënieve të mira qoftë me kokteje apo me aprovim të disa vendimeve kontraverse. Pashmëngshëm BE-ja ka treguar mbi të gjitha papërgjegjësi për proceset që po ndodhin aty. Paaftësi jemi mësuar diçka duke folur për BE-në, por në këtë rast besoj se papërgjegjësia ka arritur kulmin. Duhet përmendur edhe raportet që po dalin në proceset paszgjedhore, ku rikonfirmohen shkeljet zgjedhore, kërcënimet, shantazhet, dhuna fizike, prapë këto po mbesin vetëm si shkronja të vdekura në letër”, ka thënë Rashiq në një intervistë në Interaktiv të KTV-së.

Rashiq ka thënë se serbët e Kosovës, të moderuar politikisht, janë serbë të askujt.

“Ne jemi serbët e askujt, siç e them, e kam përdorur këtë shprehje disa herë. Askush nuk e ka konsideratë se çfarë mund të bëhet për të mirën e serbëve në Kosovë”, ka thënë Rashiq.

Ai ka treguar rastin kur në një takim ku ishte prezent ndër tjera edhe ish-shefes së diplomacisë evropiane Federica Mogherini.

“Pyeta se a janë të vetëdijshëm se me çfarë ekstremizmi, e çfarë mënyre radikale po merret Beogradi zyrtar me serbët e Kosovës. E dyta ishte propozim nga unë, që serbët e Kosovës të jenë si vëzhgues në dialogun e Brukselit, në marrëveshjet. Një nga elementet që ka iniciuar marrëveshjen e Brukselit, ka qenë integrimi i serbëve në institucionet e Kosovës”, tha Rashiq.