3 perditesime
21:09

Tahiri: Do të subvencionojmë kamatën për blerje të banesave për çiftet e reja

Kryetari aktual i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka thënë se në programin e tij ka parashikuar edhe një fund përmes së cilit çifteve të reja që blejnë banesa do t’u mbulohet kamata e kredisë.

Tahiri ka thënë se në Vushtrri banesat ende janë të përballueshme, dhe ka shtuar se edhe qytetarë nga qytete tjera, përfshirë nga Mitrovica po shkojnë të jetojnë në Vushtrri.

“Problemi më i madh që kemi lidhet me migrimin. Qasja jonë është që si komunë të kemi politika sociale. Deri para 4 vjetëve kemi pasur trend të largimit nga Vushtrria, ku kanë shkuar të blejnë banesa në Fushë-Kosovë apo Prishtinë. Tani kemi raste të ardhjes së qytetarëve nga Mitrovica, e qytete tjera për të jetuar në Vushtrri. Më gëzon kjo. Çdo i ri dhe e re në Vushtrri mund ta realizojë ëndrrën të ketë kulm mbi kokë. Nëse dy të rinj punojnë, njëri e lë pagën në kredi e tjetri për të jetuar me të. Kosto e jetesës nuk është e lartë dhe po ashtu edhe e banimit. Në plan kemi parashikuar rindërtimin e gjithë banesave të vjetra në rrugën ‘Dëshmorët e Kombit’, si dhe do ta ndërrojmë fasadën te banesat e bardha dhe të kuqe. Kemi parashikuar po ashtu fond përmes së cilit do të mbulojmë normën e interesit për çifte të reja që blejnë banesa. Të subvencionojmë kamatën e kredisë”, ka thënë Tahiri në KTV.

20:45

Tahiri premton pishinë olimpike në Parkun e Taraxhës që po ashtu do të rindërtohet

Kandidati i LDK-së për kryetar të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka folur për projektet që ka premtuar se do t’i realizojë nëse fiton edhe një mandat në krye të kësaj komune.

Tahiri në një intervistë në KTV, foli për ngrohtoren e qytetit që synon ta bëjë në vitet e ardhshme si dhe për Parkun e Taraxhës.

“Një tjetër projekt vital për qytetin është Parku Rekracional i Taraxhës. Në vitët ’60, të parët tanë kanë mbjell mbi 60 hektarë me pisha dhe sot është vetëm një park me pisha. Ne kemi planifikuar të bëjmë një pishinë olimpike, pastaj t’i ftojmë pronarët e lokaleve përreth që të ndërtojnë kapacitete hoteliere dhe kështu do të përfitojë e gjithë Vushtrria”, tha Tahiri.

Sipas tij, projekti është i përballueshëm pasi do të kushtojë mes 1.5 e 2 milionë euro dhe do të shtrihet në tri vite.

“Do të ftojmë edhe vizitorët e huaj dhe kështu do të përfitojnë të gjithë qytetarët”, tha Tahiri, që në balotazh do të ketë përball Ferit Idrizin e PDK-së.

20:34

Tahiri: Vushtrria po lulëzon me zhvillim

Kryetari aktual i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, njëherë kandidati i LDK-së për kryetar të kësaj komune edhe për një mandat, ka thënë se Vushtrria po lulëzon fal projekteve që janë realizuar gjatë mandatit të tij katërvjeçar.

Tahiri në KTV ka përmendur si pikë të programit të tij edhe ngrohtoren e qytetit.

Tahiri gjendet në balotazh me Ferit Idrizin e PDK-së. Në raundin e parë të zgjedhjeve Idrizi ka marrë 34.89 për qind të votave, ndërsa Tahiri 33.77 për qind.

“Vërtetë jam i kënaqur që kemi sjellë ndryshim. Sot Vushtrria ka ndryshuar si rezultat i projekteve tona. Po lulëzon me zhvillim, me kompani të rëndësishme që po vijnë në Vushtrri për investim e krijim të vendeve të punës”, ka thënë Tahiri në KTV.

Ngrohtorja e qytetit ai ka thënë se sjellë punësim, zhvillim dhe ruan ambientin.

“Projektet si ngrohtorja e qytetit sjellin punësim, zhvillim dhe dobi për qytetarët. E ruan ambientin”, tha Tahiri.

20:23

Xhaferi: Është rezultati më i mirë për LDK-në në Vushtrri që nga 2002-a

Kryetari aktual i Vushtrrisë dhe kandidati i LDK-së për një mandat tjetër në krye të këtij qyteti, Xhafer Tahiri, është tejet i kënaqur me rezultatin që ka arritur në raundin e parë të zgjedhjeve lokale, më 17 tetor.

Ai doli i dyti me vota, pas Ferid Idrizit të PDK-së, por megjithatë thotë se është rritje e madhe për LDK-në.

“Kemi mbi 2500 vota më shumë krahasuar me zgjedhjet e kaluara lokale dhe ky është rezultati më i mirë për LDK-në që nga viti 2002. Jam i kënaqur e falënderues për qytetarët e Vushtrrisë”, tha Xhaferi në një emision debatues në KTV.

Duke folur për këtë rritje, ai dha edhe një fakt që sipas tij e dëshmon këtë.

“Në mandatin e kaluar kishim 6 asamblistë, kurse tash do të kemi 11”, shtoi ai.