Arbëri

Prokuroria në Prishtinë ka ngritur 6 aktakuza më 2021 për sulme ndaj gazetarëve

Prokuroria Themelore në Prishtinë gjatë vitit 2021 ka ngritur gjashtë aktakuza për sulme ndaj gazetarëve.

Bashkim Zeqaj, prokuror në Themelore në Prishtinë dhe koordinator për rastet ndaj gazetarëve, ka treguar në emisionin “60 minuta” në KTV se janë edhe 19 raste tjera të hapura për sulme ndaj gazetarëve ku po kryhen hetimet, ndërsa ka raste edhe nga vitet e kaluara.

“Ne jemi kryer punën tonë, detyrën që e kemi. Deri në muajin e dhjetë të vitit 2021, janë ngritur 6 aktakuza nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, e ka edhe 19 raste ende të hapura. Kemi raste tjera të hapura edhe nga viti 2020 e 2019. Në të gjitha rastet që kemi pasur në proces të zhvillimit të hetimeve e që ka pasur bazë për ngritje të aktakuzës, kemi bërë një gjë të tillë”, ka thënë Zeqaj.

Sot është Dita Ndërkombëtare për Mosndëshkueshmërinë për Krimet ndaj Gazetarëve.

Juristja e të drejtave të medias, Flutura Kusari, ka thënë se në nivel global 9 nga 10 rastet e vrasjes së gazetarëve nuk zbulohen. Ka shkallë të madhe të pandëshkueshmërisë, ndërsa ka shtuar se nga ky trend negativ nuk përjashtohet as Kosova.

“Ke gazetarë që sulmohen fizikisht e online, e në anën tjetër ke autoritete që nuk i adresojnë siç duhet këto krime. E vërteta është se nuk ka aktgjykime finale dënuese kundër kriminelëve që sulmojnë gazetarët. Situata është shqetësuese. Nuk duhet të presim të vriten gazetarët që të merret seriozisht siguria e tyre. Në baza ditore gazetarët, sidomos gratë, kërcënohen online, me dhunim, vrasje e kërcënime të ndryshme”, ka thënë Kusari.

Ajo ka thënë se nuk ka vullnet politik për të adresuar çështjen e gazetarëve.

“Ne si shtet nuk kemi nevojë të zbulojmë diçka të re. Janë dy rekomandime shumë të mira. Një e Këshillit të Evropës e vitit 2016, një rekomandim i vitit 2021 i Komisionit Evropian, që tregon në hapa se çfarë duhet bërë një shtet për të siguruar gazetarët.. Rekomandohet fokusimi në parandalim”, ka thënë Kusari.

Ajo ka thënë se shembull ka qenë aksioni i Policisë së Kosovës në veri, ku ishin rrezikuar gazetarët.

“Ishte aksioni në veri të Mitrovicës, atë ditë normalisht po i ndiqja lajmet. Kishte mundësi të rrezikohen gazetarët, pasi dihet se veriu është vend ku siguria nuk është në nivel. Në raste të tilla pritet prej autoriteteve, përkatësisht Policisë, të ketë protokoll reagimi se çfarë mund t’u ndodhë gazetarëve që shkojnë të raportojnë pas aksioneve. Policia i kreu operacionet e veta u largua, ndërsa i la gazetarët në lloç. Është dashur ta dijë Policia se gazetari shkon të raportojë, e kur shkon rrezikohet”, ka thënë Kusari.

Kusari: Gazetarët hezitojnë të raportojnë rastet e kërcënimeve

Juristja e të drejtës së medias, Flutura Kusari për “60 minuta” në KTV ka thënë se gazetarët hezitojnë të raportojnë rastet e kërcënimeve, e veçanërisht gratë.

“Shumë hezitojnë të raportojnë rastet, një pjesë e madhe nuk duan të shqetësojnë familjet e veta e të bëhen lajm. Nuk i denoncojnë as publikisht. Një pjesë e madhe e tyre nuk i besojnë sistemit të drejtësisë, Policisë, Prokurorisë e gjykatave. Nuk ka rëndësi se çfarë polici hetues është, mund të jetë fantastik, apo Prokurori mund të kryejë punën në mënyrë fenomenale, por me rëndësi është se çfarë kohe kalon me u zgjidh rasti e kur po e merr aktgjykimin final, si po është ai. Një pjesë e madhe nuk i raporton sulmet, sidomos gazetaret.

Kusari ka thënë se ka mospërputhje të madhe se si reagohet ndaj kërcënimeve të politikanëve e si ndaj gazetarëve.

“Nëse e kërcënon një politikan, personi gjendet brenda 24 orëve dhe arrestohet e ngrihet aktakuza e dënohet me burgim. Patëm rastin e sulmit ndaj ish-ambasadorit Qëndrim Gashi apo edhe të kërcënimeve ndaj kryeministrit Albin Kurti. Ashtu duhet të jetë. Por nëjtjë duhet reaguar edhe për kërcënimet ndaj gazetarëve. Nuk është efikasiteti i njëjtë”, ka thënë Kusari. “