Arbëri

Kurti: E kemi gjetur Ministrinë e Bujqësisë me 40 milionë euro obligime financiare

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se e kanë gjetur Ministrinë e Bujqësisë me 40 milionë euro obligime financiare ndaj fermerëve dhe do ta nisin vitin 2022 me zero obligime financiare.

Kurti tutje ka thënë se pas tetë viteve pa strategji, tashmë Qeveria e tij ka hartuar një strategji për zhvillimin e bujqësisë për vitet 2021-2027 dhe atë të pylltarisë për vitet 2021-2031.

“Sektori i bujqësisë është i një rëndësie të veçantë për Qeverinë sepse përveç që prodhon e krijon ushqim, krijon edhe vende pune. Vizioni ynë është për një bujqësi kualitative, me programin tonë qeverisës po angazhohemi për nxitje të investimeve të reja. Ju kemi përgjigjur kërkesës së prodhuesve që shteti t’i ndihmojë duke subvencionuar gjysmën e kamatës. Zgjerimi i prodhimtarisë dhe zhvillimi i bujqësisë zhvillohen më mirë me përkrahjen e fermerëve meritor. Pas 8 viteve pa strategji, Qeveria ka hartuar strategjinë për zhvillimin e bujqësisë 2021-2027 dhe për pylltarinë 2021-2031. Çdo avancim i politikave duhet të ketë evidencë të fortë dhe transparencë për të gjithë. Ne kemi sjellë ligjshmëri dhe i kemi zbatuar në përpikëri Rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit. Ministrinë e kemi gjetur me 40 milionë obligime ndaj fermerëve në kategorinë e subvencioneve. Me buxhetin e vitit 2022 do ta fillojmë me zero obligime financiare ndaj fermerëve, edhe për 11 milionë buxhet shtesë për ta. Ne kemi sjellë ligjshmëri dhe i kemi zbatuar në përpikëri Rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit”, ka thënë Kurti në një konferencë për media.

Kryeministri bëri të ditur se sot ka diskutuar me ministrin e Financave, Hekuran Murati, për të mbajtur një mbledhje të Qeverisë ku do të miratohet buxheti, që sipas tij, do të jetë 9 për qind më i lartë se sa buxheti i rishikuar në qershor të këtij viti. 

“Sot kam pasur takim me ministrin e Financave para se të fillojë orari i punës dhe kemi diskutuar që ta bëjmë sot pasdite një mbledhje të Qeverisë në të cilin do të miratohet buxheti dhe natyrisht atë mbledhje do të mund ta ndiqni edhe ju, por krahasuar me rishikimin e buxhetit të bërë në mes të vitit, buxheti për 2022 do të jetë 9 për qind më i lartë”, potencoi Kurti.

Ndërkohë ministri i Bujqësisë, Faton Peci, prezantoi plani për zhvillimin e bujqësisë, teksa u bë e ditur se aplikimi për subvencione me kritere të reja do të bëhet në çerekun e parë të vitit 2022 dhe procesi pritet të mbyllet në muajin prill.