Arbëri

Gashi: Dy javë pas vaksinimit kundër COVID-19 mund të merret vaksina kundër gripit

Descriptive Text

Të enjten ka filluar vaksinimi kundër gripit sezonal. Ky proces po zhvillohet paralelisht në të njëjtin vend ku po zhvillohet edhe vaksinimi kundër COVID-19. Drejtori i QKMF-së qendrore në Prishtinë, Bujar Gashi, tha se ambienti i përbashkët nuk paraqet asnjë problem dhe se çdo person që i ka kaluar dy javë nga vaksinimi kundër COVID-19 dhe ka sëmundje kronike mund të vaksinohet. Vaksinimi gjithashtu ka filluar edhe në qytetin e Prizrenit

Për dallim nga viti i kaluar, këtë vit Komuna e Prishtinës është furnizuar më herët me vaksinën sezonale. 14 mijë dozat e pranuara të mërkurën kanë nisur të administrohen menjëherë. Ky proces po zhvillohet në sallën “1 Tetori”, në vendin ku po vazhdon edhe vaksinimi kundër COVID-19. Një gjë e tillë thuhet se ishte kundër vullnetit të Drejtorisë së QKMF-së qendrore në Prishtinë, por lajmërimi i vonshëm i detyroi për këtë zgjidhje.

“Arsyeja pse kam shku në sallën ‘1 Tetori’ është për shkak të sistemit të rrjetit, është një sistem i ri këtë vit që jemi njoftuar vetëm dje dhe e kemi pasur obligative që sot të fillojmë dhe teknikisht ka qenë e pamundur që të bëhet sipas përgatitjeve që kemi bërë në qendrat e mjekësisë familjare dhe vullneti ynë ka qenë që vaksinimin kundër gripit sezonal ta bëjmë në qendrat tona”, ka thënë Bujar Gashi, drejtor i QKMF-së qendrore, në Prishtinë.

Për ata që kanë dilema nëse duhet ta marrin vaksinën pasi të jenë vaksinuar kundër COVID-19, Gashi ka një shpjegim.

“Edhe tjetra është e rëndësishme për qytetarët e kryeqytetit se vaksinën kundër gripit sezonal mund ta marrin dy javë pasi e kanë marrë vaksinën e COVID-19, besoj që është në interes të qytetarëve që ta dinë se nuk mund ta marrin brenda dy jave nëse janë vaksinuar me dozën e dytë të COVID-19, mirëpo duhet të kalojnë së paku dy javë”, tha Gashi.

Të kënaqur me vijueshmërinë e procesit u shprehën qytetarët në sallën “1 Tetori”.

“Shumë mirë, shumë okej. Shumë ma mirë këtu, hapësira më e madhe edhe pritet ma pak, stafi shumë i ri, shumë të kujdesshëm, shumë në rregull”, tha Hasim Loshi, qytetar.

Të njëjtin mendim kishte edhe Zymer Haxhiaj, qytetar tjetër.

“Si ma mirë, s’ka ku shkon ma mirë. Vjet na kanë dhanë atje poshtë tek ambulanta guzhum jo n’shatorr jo shtyju, ktu koka lezeti i Zotit”, tha Haxhiaj.

Ka edhe qytetarë që në Kosovë kanë qëlluar rastësisht e që kanë vendosur të vaksinohen.

“Shumë mirë, s’ka problem. Jo, unë për veti jetoj në Zvicër e dy herë m’ka ra rasti me shku qatje me marrë e kësaj here këtu erdha shumë lehtë, se jom n’pushim po e kam kohën e kësaj vaksinës, të koronës i kam marrë të dyja në Zvicër edhe ashtu e nijta në televizion edhe erdha”, Naxhije Spahiu, mërgimtare.

Nga Komuna e Prishtinës u bëjnë thirrje qytetarëve që të mos krijojnë fluks vetëm në ditët e para, sepse ky proces do të zgjasë derisa të vaksinohen të gjithë të interesuarit.

E vaksinimi sezonal ka filluar edhe në qytetin e Prizrenit.

Drejtori i QKMF-së në Prizren, Xhevat Elezkurtaj, ka thënë se ditëve në vazhdim vaksinimi do të fillojë edhe nëpër fshatra.

“Ndërsa ditëve të ardhshme do të bëhet distribuimi i vaksinave në 10 QMF në qytet dhe në fshatra, kështu që të gjithë ata që janë në programin për t’u vaksinuar ndaj gripit sezonal do ta kenë atë mundësi”, ka thënë ai.

Elezkurtaj ka thënë se janë furnizuar me 13 mijë doza vaksinë kundër gripit sezonal.