Arbëri

Ahmeti publikon video nga viti 2019: Jam kundër shkëmbimit të territoreve

 

Ish-anëtari i Ekipit Negociator të Kosovës, Shpend Ahmeti, me tri video nga viti 2019 ka dalë me sqarim pas akuzave ndaj tij se ka qenë përkrahës i idesë për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë si zgjidhje përfundimtare.

Të mërkurën, politikania boshnjake, Sabina Çudiq, në një shkrim në Facebook, ka thënë se Kosova dhe Serbia kanë pasur pajtim e madje edhe përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për një marrëveshje për shkëmbim territoresh. Duke u munduar të japë kundërshtimet e saj për një plan të Matthew Palmerit për Bosnjën, Çudiq ka thënë se ish-i dërguari për Ballkanin Perëndimor ka qenë pro shkëmbimit të territoreve si zgjidhje të marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë. Madje ka thënë se ai mund të jetë edhe autor i planit. Ajo nxori detaje nga një takim dhe përplasja me Palmerin, për çështjen e shkëmbimit të territoreve, teksa tha se gjithçka ndodhi pas një paneli ku ishte me Ahmetin. Dje, vetë Ahmeti, i kontaktuar nga KOHA, u shpreh se s’ka qenë në dijeni për bisedat e Çudiqit me Palmerin. Megjithatë, në vend Ahmeti u akuzua si figurë përkrahëse e idesë së shkëmbimit të territoreve.