Arbëri

SBASHK-u paralajmëron veprime sindikale: Qeveria Kurti po u ikën takimeve

Foto: Driton Paçarada/ Koha Ditore

Sindikata e Bashkuar e Arsimit ka paralajmëruar veprime sindikale, pasi sipas tyre ata po injorohen nga Qeveria Kurti.

Përmes një komunikate për media, SBASHK-u ka thënë se Qeveria Kurti sikur nuk do ta di se në Kosovë ka sindikata.

SBASHK-u ka paralajmëruar se nuk e kanë larg të mblidhen organet e kësaj sindikate.

“Tani kur sistemi arsimor i është kthyer normalitetit dhe për këtë kemi dhënë kontribut të lartë ne të punësuarit në arsim, do t’i kthehemi edhe angazhimeve sindikale dhe kështu si po vepron Qeveria Kurti , duke u sjellë sikur nuk ka sindikata në Kosovë, ne do të dëshmojmë se ekzistojmë dhe jemi unik e të përkushtuar dhe prandaj nuk janë larg takimet e organeve vendimmarrëse për të shpallur veprime sindikale”, thuhet në njoftim.

Sipas tyre, asnjë Qeveri deri tani nuk i është shmangur takimeve me sindikatat, dhe këtë po e bën Qeveria Kurti.

“Mirëpo, kjo që ndodh tani në Qeverinë Kurti është hera e parë në Kosovë, kur Qeveria sikur nuk do ta di se në Kosovë ka sindikata dhe prandaj edhe nuk i do dhe u ik takimeve me to. SBASHK ka kritikuar këtë qëndrim të Qeverisë Kurti dhe veçmas mungesën e gatishmërisë së takimeve të Ministrit Hekuran Murati, i cili është edhe Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, detyrë që nuk e kreu as edhe një herë deri tani. Qeveria Kurti duhet ta di se sindikatat ekzistojnë dhe janë ato, si SBASHK-u, që kanë bërë edhe veprime sindikale deri në grevën e përgjithshme për plot tri javë në tërë sistemin arsimor. Deri tani kemi lutur anëtarësinë për mirëkuptim dhe për përkushtim në rrjedhën e mbarë të sistemit arsimor për shkak të gjendjes nga pandemia, por tani kur sistemi arsimor i është kthyer normalitetit dhe për këtë kemi dhënë kontribut të lartë ne të punësuarit në arsim, do t’i kthehemi edhe angazhimeve sindikale dhe kështu si po vepron Qeveria Kurti, duke u sjellë sikur nuk ka sindikata në Kosovë, ne do të dëshmojmë se ekzistojmë dhe jemi unik e të përkushtuar dhe prandaj nuk janë larg vendimet e organeve vendimmarrëse për veprime sindikale , pra edhe për greva në tërë sistemin arsimor. E atëherë le ta dinë qytetarët e Kosovës se fajtori i vetëm është Qeveria dhe përpjekja e saj për të krijuar bindje se në Kosovë nuk ka sindikata”, thuhet në njoftim.