Arbëri

Kastrati: Rahimaj po manipulon me reformën shkollore në Kamenicë

Kandidati i Partisë Social-Demokrate (PSD) për kryetar të Kamenicës, njëherësh kryetari aktual, Qëndron Kastrati, ka akuzuar kundërkandidatin e tij në balotazh nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Kadri Rahimaj se është i dënuar për kundërvajtje në raport me organizimin dhe pengimin e zhvillimit të procesit të fëmijëve.

Kastrati ka thënë në “Interaktiv” të KTV-së se Rahimaj ka aktakuzë se ka dashur ta pengojë reformën në arsim.

Sipas tij, Rahimaj ka marrë shumicën e votave në fshatrat ku është bërë reforma në arsim.

“Rahimaj është i dënuar për kundërvajtje në raport me organizimin dhe pengimin e zhvillimit të procesit të fëmijëve. Është nën hetime ka precedentë, ka aktakuzë duke dashur që të pengojë reformën në arsim. Veç disa vende janë që kanë marrë rezultat të bindshëm mbi 50%, e janë ato fshatra ku është filluar reforma. Për mua është e dhimbshme qysh manipulohet me nevojën e qytetarëve duke u premtuar punësim. Ka 5 persona që e njëjta drejtori u është zotuar. Një çështje që nuk e kuptoj se çka janë duke bërë Rahimaj dhe Bajram Mavriqi në Kamenicë, janë munduar që krejt skenën politike të mëhershme ta rikthejnë, dhe janë zotuar se do t’i kthejnë në pozita udhëheqëse dhe kanë me i kthy në komunë”, ka thënë Kastrati.

Ndërkaq, kandidati i LVV-së, Kadri Rahimaj ka thënë se rezultati i zgjedhjeve të 17 tetorit, ka qenë rezultati më i keq në Kosovë për ndonjë kandidat që është edhe kryetar komune.

“Konsideroj që rezultati i kundërkandidatit ka qenë rezultati më i keq i mundshëm nëse krahasoj me rezultatet e kandidatëve të tjerë që kanë qeverisur në Kosovë. Të gjithë kanë mbi 40% të rezultatit, ndërkaq kandidati i Kamenicës ka 30%”, ka thënë Rahimaj, i cili ka akuzuar Kastratin se ka në listë figura të papastra.

Ndërkaq, kësaj i është kundërpërgjigjur Kastrati i cili ka thënë se rezultati ka qenë i mirë dhe e ka mohuar se ka figura të papastra në listën e tij.

Kastrati më pas ka akuzuar Rahimajn sërish se po manipulon me reformën shkollore në Kamenicë, e po përdorë fëmijët për fushatë.

“Me rëndësi është vetëm fëmijët të kenë edukim më cilësor. Bashkëvendësi i juaj qe një vit e ke obliguar me humb mësimin, tash kur isha në takim më tregoi se vajza e tij ka qenë në klasë vetëm me dy djem. Asnjë javë nuk ka kaluar dhe vajza e tij ka filluar të qajë, ka thënë se nuk do të kthehet në klasë me dy djem. Kemi raporte zyrtare prej shkollës, se z. Rahimaj pa asnjë të drejtë, pasi nuk është as prind as nuk ka fare lidhje, shkon nëpër shkolla të fshatrave e mundohet me përdor me manipulu në raport me reformën”, ka thënë Kastrati.

Në zgjedhjet e 17 tetorit, Qëndron Kastrati ka fituar më shumë se 32% ndërkaq Kadri Rahimaj ka fituar më shumë se 30% të votave.