7 perditesime
21:28

Demolli: Gratë eksploatohen seksualisht, janë 141 qendra masazhi në Prishtinë

Luljeta Demolli nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore ka thënë se në Kosovë gratë eksploatohen seksualisht.

Sipas saj, krimi gjinor është i pranishëm në profesione të ndryshme. Ajo ka përmendur profesionet e masazhit dhe valltares.

“Krimi gjinor, ka gra që eksploatohen seksualisht sot në Kosovë, në profesione të ndryshme, si masazhere, si valltare. Janë 141 masazhe në Prishtinë. Prokuroria pamë në media që kishte vërejtje për kuti të minjve, për mënyrën se ku ndodh eksploatimi seksual. Ato gra i kemi komplet të pambrojtura”, ka thënë Demolli.

Ajo ka shtuar se këto tema janë krejtësisht tabu në Kosovë, ndonëse siç ka thënë, shihen çdo ditë.

21:19

Molliqaj: Nuk kemi as të dhëna për vrasjet në baza gjinore

Leonida Molliqaj, nga Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion “Çika”, thotë se shifrat e dhunës në familje janë shumë më të mëdha sesa ato të raportimeve.

Ajo në Desk të KOHËS ka shtuar se kohëve të fundit ka pasur rritje alarmante të dhunës në familje shkaku i masave kufizuese për shkak të pandemisë.

“Janë mbyllur për një kohë të gjatë brenda dhunuesi dhe viktima. Shifrat e vrasjeve kanë qenë të ngjashme ndoshta si vitet e kaluara, ndoshta ka pasur edhe më tepër vitet e mëhershme. Por, sistemi i drejtësisë në Kosovë ka vendosur ta përjashtojë femicidin si dukuri. Nuk kemi as të dhëna të institucioneve për femicidin, vrasjen e gruas vetëm për shkak të gjinisë. Nuk është as shprehje në diskutim publik”, ka thënë Molliqaj.

Ajo ka shtuar se në Kosovë ekzistojnë në letër programe rehabilituese e të riintegrimit për dhunuesit, por në fakt nuk zbatohen kurrë.

“Në momentin kur dikush futet në burg, nuk i nënshtrohet asbnjë politike të riedukimit që ta kuptojë se ka cenuar integritetin e gruas e vajzës së tij. Çfarë ndodh me viktimën është edhe më e rëndë. Znj. Bogujevci e z. Kastrati më tepër folën për punën qysh është mirë e rregulluar, qysh dhunuesi del nga shtëpia. E dimë se në plotë raste të dhunës në familje, kur janë kthyer burrat në shtëpi, gratë kanë përfunduar të vdekura. Është pak banale të flasim edhe nëse është e rregulluar me dokumente. E dimë gjendjen reale qysh e kanë gratë, qysh cenohet siguria e tyre nga burri dhe babai”, tha Molliqaj.

21:01

Koordinatori i Zyrës për Viktimat: Ka zyrtarë që e kryejnë punën me përkushtim

Koordinatori i Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave, Bastri Kastrati, ka mjaft hapësirë për përmirësim, por ai thotë se ka zyrtarë, si prokurorë, policë, gjyqtarë që e kryejnë punën e tyre me përkushtim.

“Nuk është gjithçka bardh e zi, ka punë, ka gjyqtarë, prokurorë, policë mbrojtës të viktimave, që vërtetë e bëjnë punën me shumë përkushtim. Duhet t’u japim atyre më shumë shtytje për ta bërë këtë punë. Sa i përket statistikave, në 18 vjet kemi asistuar 20.659 raste, prej tyre 16.615 raste të dhunës në familje. Raste këto të raportuar në Zyrën tonë. Kemi raste ku për dhunë familje, Gjykata Themelore në Prishtinë ka shqiptuar dënim deri me 3 vjet burgim, që është maksimumi për vepër të tillë. Është fillim i mbarë e shoqëria civile të na mbajë përgjegjës për punë edhe mëtutje. Edhe në nivel qendror edhe lokal punohet vazhdimisht me zyrtarë përgjegjës në ngritje të kapaciteteve të tyre, që dukuria e dhunës në familje të bjerë. Nuk është arritur të çrrënjoset as në vendet me zhvillim të madh, por ta ulim në përmasa që do të ishte e mirë për gjithë shoqërinë”, ka thënë Kastrati në Desk të KOHËS.

20:51

Demolli: Shpesh avokatët e policia janë në anën e të fortit, të dhunuesit

Luljeta Demolli nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore ka thënë se shpesh avokatët e policia janë në anën e të fortit, që në shumicën e rasteve janë dhunuesit e grave.

Demolli ka thënë se shumica e grave raportojnë se kur e raportojnë dhunën në polici, polici nis me fjalë për të mbrojtur familjen, duke u dhënë këshilla që të ruajnë familjen.

“Në qytetet e vogla, gjykatësit, prokurorë, avokatët, policia, nganjëherë janë në anën e të fortit. E gjejnë mënyrën se qysh shkojnë në mënyrë zinxhir. Kur shkon dhe e deklaron dhunën në polici, aty fillon edhe polici e mbron familjen, ta jep një këshillë, edhe vetë atituda edhe hiq të mos flasësh, zyrtarët tonë që shumica janë burra në këtë drejtësinë që është më shumë për gra. Argumentin e njëjtë e kanë, mos e prish familjen, kthehu, negocioni. Vetë mënyra qysh nuk merren në mënyrë të duhur me ty, qysh të injoron, kjo na tregon se ka probleme të mëdha”, ka thënë Demolli.

Sipas saj, sa më shumë që po emancipohet gruaja dhe po e raporton dhunën nga burrat, aq më shumë po rriten rastet e dhunës.

“Ka një varfëri të madhe të grave, ka një emancipim të grave, ka një urrejtje për ato që emancipohen, që e lajmërojnë Policinë”, është shprehur Demolli.

20:49

Bogujevci: Raste të dhunës kemi shumë më tepër sesa raportohet

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, vlerëson se numri i rasteve të dhunës ndaj grave është shumë më i madh se që raportohet.

Ajo ka thënë se rastet e raportuara duhet trajtuar e zgjidhur si duhet nga institucionet në mënyrë që të nxiten viktimat të raportojnë.

“Duhet të sigurohemi që brenda institucioneve këto raste të trajtohen si duhet, të nxiten viktimat për të raportuar rastet. Unë mendoj se kemi shumë më tepër raste se që janë raportuar. Di raste të caktuara ku njerëzit kanë dëgjuar e parë dhunë, por kanë pasur frikë të raportojnë. Ka shumë punë. Unë mendoj se është rritur numri i raportimeve, pasi kemi pasur gjithmonë raste të shumta të dhunës”, ka thënë Bogujevci në Desk të KOHËS.

20:40

Molliqaj: Në aktgjykimin e Pejës dhunimit iu kanë referuar si marrëdhënie seksuale

Leonida Molliqaj, nga Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion “Çika”, ka thënë se është e papranueshme dënimi i cili iu dha dhunuesit të 15-vjeçares në Gjykatën Themelore të Pejës.

Molliqaj e ka quajtur absurde që në disa raste, dhunimit i janë referuar edhe si marrëdhënie seksuale.

“Rasti i vetëm publik që kemi parë deri tash që për një rast dhunimi dënohet dikush me 8 muaj dhe 8 ditë. Nuk ka asnjë logjikë përderisa minimumi është 5 vjet dhe në rastet edhe kur ka rrethana lehtësuese mund të ulet pak dënimi por jo 8 muaj e 8 ditë. Përveç nuk është akuzuar edhe për cenim të lirisë dhe rrëmbim, pasi vajza është mbajtur gjatë gjithë natës derisa ka arritur të ikë. Në disa raste dhunimit seksual i janë referuar si marrëdhënie seksuale ndërkohë që gjykatësja dhe prokurorja e rastit kanë potencuar se nuk kanë gjetur asnjë rrethanë rënduese për dhunuesin. Si është e mundur nëse dikush dikë e rrëmben dhe e kërcënon me thikë, qysh nuk është rrethanë renduese ndërkohë që i kanë gjetur disa rrethana lehtësuese për të, deri te ajo që ka vajzë 4-muajshe, dhe se personi meqë është shoqëruar me të mitur duket se është i papjekur psikikisht. Të gjitha masat që janë konsideruar si lehtësuese, shumica prej tyre janë të papranueshme për ne”, ka thënë Molliqaj në “DESKU” të KTV-së.

Sipas saj, ky rast duhet të shërbejë si një rast që shpjegon se me çka përballen vajzat dhe gratë në sistemin e drejtësisë në Kosovë.

20:33

Bogujevci: S’kemi pasur asnjë seancë në Kuvend ku është trajtuar tema e seksizmit

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, ka thënë se në histori të Kuvendit nuk është mbajtur asnjë seancë ku janë është trajtuar temat e seksizimit dhe ngacmimeve.

“Është e rëndësishme që të diskutohet haptazi, të flitet për këto gjëra dhe mendoj se edhe ne si deputetë, jo vetëm gratë por edhe burrat, duhet të adresojmë këtë çështje. E kemi diskutuar kohët e fundit që në fakt, duke parë punimet e Kuvendit, deri tash nuk ka pasur asnjë seancë që trajton çështjen e seksizimit e ngacmimeve. Është diçka që kemi diskutuar dhe duhet të adresojmë”, ka thënë Bogujevci në Desk të KOHËS.

20:25

Demolli: Të ndalet mendësia patriarkale në institucionet e drejtësisë

Luljeta Demolli nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore është shprehur e shqetësuar lidhur me dy rastet e fundit të dhunës ndaj grave në Kosovë, ku në njërin rast, u dënua me 8 muaj burgim dhunuesi i një 15-vjeçareje në Pejë, ndërkaq në tjetrin, një burrë sulmoi fizikisht një grua në një supermarket të Prishtinës.

Demolli ka thënë në “DESKU” të KTV-së se kjo ndodh për shkak të mendësisë patriarkale në Kosovë.

Sa i përket rastit të Pejës, Demolli ka thënë se institucionet e drejtësisë dështuan të sjellin drejtësi.

Ajo ka kërkuar hetuesi në këtë rast, duke shtuar se duan të dinë saktë se çka ka ndodhur.

“Për mua dy rastet janë shqetësuese, rasti i vajzës së Pejës është shqetësuese sepse lidhet drejtpërdrejtë me institucionet e drejtësisë, ato dështuan ta sjellin atë drejtësi. Dënimi me aq pak muaj burgim ndaj dhunuesit i bie që shteti nuk po e dënon ashtu siç duhet dhunuesin. Për këtë rast nuk do të duhej fare që të pritej 10 vite për tu dënuar një dhunues seksual. Çka po u themi grave dhe vajzave të reja kur u ndodh dhuna. Ne duam hetuesi për rastin, duam të dimë saktë se çka ka ndodhur sepse duam ta ndalim mendësinë patriarkale në institucionet tona duke filluar nga Parlamenti, Prokuroria, Gjyqësia e deri te zyrtari më i thjeshtë”, ka thënë Demolli.

Ajo ka bërë thirrje që organet e drejtësisë të kryejnë punën e vet në mënyrën më të mirë të mundshme, në mënyrë që shteti të ecën përpara.