Arbëri

S’ndalen ngritjet e çmimeve – paralajmërohet rritje e faturave të ujit e mbeturinave

Kompanitë rajonale të ujësjellësit kanë paralajmëruar mundësinë e rritjes së faturave të ujit. Kjo është e pamundur të ndodhë këtë vit thonë nga Autoriteti Rregullativ i Ujit, por që tarifat për tre vjetët e ardhshëm mund të rriten. Përpos kësaj, është paralajmëruar edhe rritje e faturave të mbeturinave.Raporti: Leonita Bajrami

Në vazhdën e rritjes së çmimeve edhe kompanitë e ujësjellësit kanë paralajmëruar rritje faturave të ujit.

Sipas kryeshefit të KRU “Prishtina”, rritja nuk do të jetë e madhe.

“Mund të ketë potencialisht një ngritje prej 1 cent ose 2 centë, por që në total në faturën ose në xhepin e konsumatorit, maksimumi mund të reflektojë në 10-15 centë e që është ekstrem e vogël”, ka thënë kryeshefi i KRU “Prishtina”, Sokol Xhafa.

Sipas Ligjit për Shërbimet e Ujit, tarifat e ujit i cakton Autoriteti Rregullativ i Ujit çdo vit. Ndryshimi i këtyre tarifave bëhet në bazë të kërkesës për të hyra të kompanive të ujësjellësit dhe kritereve të përcaktuara nga ARRU-ja.

Nga Autoriteti Rregullativ i Ujit thonë se tarifat e përcaktuara për vitin 2021 nuk do të ndryshojnë deri në dhjetor. Mirëpo ky institucion ka në shqyrtim aplikacionet e kompanive të ujësjellësit për caktimin e tarifave për tre vjetët e ardhshëm, ku nuk përjashtohet rritja.

“Ne jemi në fazën e shqyrtimit të aplikacioneve që kanë dorëzuar të gjitha kompanitë e ujësjellësit në Kosovë dhe së shpejti do të ketë diskutime publike për tarifat e viteve 2022-2024, ku në fund të dhjetorit 2021 ky proces do të finalizohet. ARRU është e përkushtuar që çmimet e shërbimeve për ujë dhe ujëra të ndotura të mos rriten as në tre vjetët e ardhshëm, përveç rasteve kur hyjnë në funksion impiantet e trajtimit të ujërave të zeza, të cilat e rrisin koston e shërbimeve”, thuhet në përgjigjen e ARRU-së.

Përpos faturave të ujit, pritet të rriten edhe ato të mbeturinave. Mundësinë për këtë rritje e kanë paralajmëruar edhe nga kompania rajonale “Pastrimi”.

Për ndryshimet e mundshme në faturat e mbeturinave dhe të ujit do të vendoset në fund të muajit dhjetor.