Arbëri

Qeveria ndan mbi 36 milionë euro për pensione, vendimi po shihet si elektoral

Qeveria Kurti ka ndarë 36 milionë euro për përfituesit e skemave sociale dhe pensionale.

Njohës të politikave publike e kanë konsideruar këtë si abuzim me resurse shtetërore për përfitime të partisë në pushtet.

Bekim Salihu, njohës i politikave publike, thotë se vendimi është elektoral.

“Këto vendime konsideroj që janë marrë në kohën e zhvillimit të balotazhit, e rrjedhimisht prej kësaj besohet që këto vendime kanë qëllime elektorale, për shkak që nuk janë veprime të qëndrueshme, por të përkohshme, që iu ofrojnë mbështetje disa kategorive të qytetarëve për një muaj ose dy jo për më gjatë. Rrjedhimisht nga kjo besoj që qëllimi i këtij vendimi është elektoral, por lidhet me zgjedhjet e 14 nëntorit”, tha Salihu.

Edhe Albert Krasniqi nga Demokracia Plus thotë se kësisoj dëmtohet procesi zgjedhor përmes krijimit të pabarazisë zgjedhore me partitë tjera në opozitë.

“Vendimi i Qeverisë - në kohë të fushatës zgjedhore - për dyfishimin e pagesës për përfituesit e skemës së ndihmës sociale për dy muaj dhe për ndarjen nga 100 euro shtesë për pensionistët për një muaj; është rast tipik i abuzimit me resurset shtetërore për përfitime të partisë në pushtet”, ka shkruar Krasniqi në Facebok.

Qeveria Kurti në mbledhjen e së mërkurës ka premtuar mbështetje për qytetarët në përballje me rritjen e çmimeve.

Ajo ka ndarë nga 100 euro shtesë për pensionistët për muajin nëntor. Ndërsa përfituesit e skemave sociale do të përfitojnë dyfishin e pagesës së rregullt dhe shtesës aktuale.

“Fushata që në qendër ka fajësimin e Qeverisë, për efekt mund të ketë vetëm shtrimin e terrenit për manipuluesit për të ngritur çmimet dhe në anën tjetër të nxisë frikë, nervozë e panik te qytetarët si konsumatorë. Nga sot e ditëve në vijim, po punojmë që të kemi pako masash që të kaloni më lehtë këtë gjendje”, tha kryeministri Kurti.

“Kjo masё pёr nga vёllimi i familjeve qё prek ёshtё mё e madhja qё ёshtё miratuar ndonjëherë nё Qeveri, me afёrsisht 330 mijё familje qё do tё përfitojnë mbështetje financiare. Pra, njё politikё e tillё prek shumё familje dhe ka njё ndikimin tejet tё madh nё buxhetin familjar”, tha ministri i Financave, Hekuran Murati.

Por, sipas Salihut, ka një propozim tjetër për mbështetje të qytetarëve.

“Ajo që do të ishte e udhës ka të bëjë me një praktikë që është ndjekur gjatë vitit 2017-2018 kur është rimbursuar kuponi fiskal. Në këtë rast Qeveria mund të nxirrte një vendim më ndryshe nga ajo periudhë dhe të parashihte rimbursimin e kuponëve fiskal vetëm për kategorinë e konsumit jo edhe për blerje të tjera. Kjo do të ndikonte në përkrahjen e qytetarëve në rritjen e çmimeve dhe do të sfidonte informalitetin në treg”, tha Salihu.

Derisa çmimet rriten, paga minimale në Kosovë vazhdon të jetë 130 deri në 170 euro. Qeveria ka premtuar rritjen e saj në 250 euro, por që nuk ka dhënë afat se kur do të ndodhë.