Shoqata e Gastronomëve i ka bërë thirrje Qeverisë t’i lirojë masat kufizuese, si heqjen e orës policore, të shtojë orarin e operimit të bizneseve dhe zgjatjen e orarit të muzikës.
Arian Vranica nga kjo Shoqatë ka deklaruar se protesta e organizuar të dielën me vetura ka shkuar mirë.
“Protesta ka shkuar shumë mirë, kanë qenë mbi 100 vetura që brenda 24 orëve janë organizuar brenda tërë Kosovës. Qëllimi i protestës ka qenë lidhur me muzikën, e kjo i bie që pak a shumë në atë orë bizneset të operojnë për një gjysmë ore më shumë”, ka thënë ai.
Vranica theksoi për KTV-në se gjatë ditës së sotme do të mbajnë një mbledhje dhe së bashku me Odën e Hotelerisë do të vendosin për veprimet e mëtutjeshme.
“Kërkesat i kemi pasur të qarta, orari të jetë në pajtueshmëri me rregulloren komunale. Kemi kërkuar të hiqet ora policore, të rriten kapacitetet e punës brenda gastronomisë, muzika të jetë në oraret e operimit të bizneseve. Duhet të merret një vendim i shpejt dhe i jashtëzakonshëm”, theksoi ai.
Vranica thotë se Qeveria duhet t’i rrisë thirrjet për vaksinim masiv, e jo për pezullim të punës.
“Dje ka qenë një aksion simbolik, sot do të mblidhemi t’i shqyrtojmë hapat e ardhshëm.”