Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pritet t’i shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve lokale të 17 tetorit, brenda pak ditësh.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për KOHËN se pas numërimit të votave me kusht, atyre të personave me nevoja të veçanta që do të bëhet të hënën, dhe pas konfirmimit nga PZAP-i e Gjykata Supreme, do të bëhet shpallja e rezultateve përfundimtare.
“KQZ-ja do të shpall rezultatet përfundimtare të Zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave pasi të numërohen edhe votat me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta, që sipas planifikimit tonë do të numërohen të hënën, si dhe pasi të marrim konfirmimet nga PZAP-i dhe Gjykata Supreme”, ka thënë Elezi.
Sipas tij, në vitin 2017, KQZ-së i janë dashur 9 ditë për të shpallur rezultateve përfundimtare të raundit të parë Zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave dhe 3 ditë të tjera për t’i certifikuar ato.
