Arbëri

Ekspertët: Partitë s’kanë pjekuri për arritjen e konsensusit për ratifikimin e marrëveshjes me Serbinë

(Ekonomia Online) - Kosova duhet që të intensifikojë veprimet sa i përket marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, madje njohësit e rrethanave politike në vend po kërkojnë që të kalohen në nivel tjetër të bisedimeve, raporton Ekonomia Online.

Ish-sekretari i ministrisë së Integrimit Evropian, Demush Shasha është skeptik se forcat politike në Kosovë do të kenë pjekurinë e nevojshëm për të arritur konsensus të brendshëm për ratifikim e një marrëveshje finale me Serbinë.

“Sa i përket marrëveshjes finale me Serbinë jam optimist sepse shohim një koordinim në rritje mes BE-së dhe ShBA-së. Pamë vizitën ndërmjet Lajçakut dhe Palmerit. Shohim një situatë të ngjashme me situatën në Shkup dhe Athinë para arritjes së marrëveshjes së Prespës. Po shohim se kemi mazhorancë në Kosovë dhe Serbi e cila është e aftë të shtyjë përpara një marrëveshje përfundimtare. Nuk shoh motivimin e Serbisë për marrëveshjen e arritjes finale. Jam skeptik se forcat politike në Kosovë do të kenë pjekurinë e nevojshëm për të arritur konsensus të brendshëm për ratifikim e një marrëveshje finale me Serbinë”, tha drejtori i institutit EPIK, Shasha.

Sipas tij, Qeveria Kurti duhet të mos bëjë gabimet e mazhorancës së kaluar, por të krijojë përfshirje të vazhdueshme edhe të opozitës në kuadër të dialogut.

“Qeveria Kurti duhet të mos bëjë gabimet e mazhorancës së kaluar. Atë çfarë i ka bërë mazhoranca e kaluar opozitës së kaluar tani ai nuk duhet t’i bëjë që i bie nuk mund të krijosh një mjedis polarizues dhe përjashtues në dialog. Kurti duhet të sigurojë përfshirje të vazhdueshme të LDK-së, PDK-së dhe AAK-së në kuadër të dialogut. Që të sigurojë se çfarëdo që do të dakordojë në kuadër të dialogut do të ketë mbështetjen e gjithë spektrit politik, pra kjo është detyrë e tij”, tha ai.

Përderisa ish-këshilltari i ish-kryenegociatores, Edita Tahiri, Gazmir Raci, thotë se Kosova duhet që ta shfrytëzojë mandatin e presidentit amerikan Joe Biden për të finalizuar marrëveshjen me Serbinë.

Edhe pse thotë që është vërejtur angazhim i Qeverisë në raporto me dialogun, sipas tij, duhet që ajo të jetë më transparente me mediet, shoqërinë civile dhe Kuvendin.

“Dialogu teknik në të cilin tashmë Qeveria ka hyrë unë mendoj që duhet të përfundojë sa më shpejtë, duhet të kalohet në dialogun për finalizim të marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe që është ligjërisht për të dyja shtetet. Duhet si Kosovë ta shfrytëzojmë mandatin e presidentit Biden që të ecim përpara për anëtarësim në NATO dhe BE. Është parë një angazhim serioz i Qeverisë për dialogun, ka një mungesë transparence që është shumë e rëndësishme sepse ajo duhet të jetë më proaktive me mediet, shoqërinë civile dhe Kuvendin”.

Marrëveshja finale me Serbinë do të ketë ndikim edhe në asketin ekonomik për vendin po vlerëson, ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu.

Sipas tij, zgjidhja e problemeve ekonomike e integrues të Ballkanit Perëndimor është marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai ka apeluar që të forcohet partneriteti me ShBA-në dhe BE-në, raporton EO.

“Në rend të parë duhet të kuptohet që Ballkani Perëndimor është peng i marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mund të ketë iniciativa të ndryshme rajonale por duhet të kuptohet se nuk zgjidhen problemet e Ballkanit Perëndimor me iniciativa të tilla. Është koha kur duhet të kemi guximin politik që të ballafaqohemi me realitetin dhe realiteti është që Ballkani Perëndimor do të jetë peng i zhvillimeve derisa nuk do të zgjidhet marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë. Peng i kësaj marrëveshje është Bosnja e Hercegovina. Prandaj duhet të kuptohet e vërteta që emërues i përbashkët i zgjidhjes së të gjitha problemeve të natyrës politike e ekonomike integrues të Ballkanit Perëndimor është vetëm marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Nëse dikush do të përfitojë nga kjo marrëveshje do të jenë të gjithë akterët e Ballkanit Perëndimor e në veçanti më tepër do të përfitojë Serbia por edhe për Kosovën do të jetë një momentum i ri dhe besoj që do të ketë edhe liberalizim, por mbi të gjitha do të ketë edhe investues të huaj që për fat të keq Kosovës janë duke i munguar. Është koha kur duhet të forcohet partneriteti me ShBA-në dhe BE-në”.