1 perditesime
Arbëri

Nis numërimi i votave me postë, hetohen edhe 255 vendvotime për votat e asamblistëve

Nis numërimi i votave me postë, hetohen edhe 255 vendvotime për votat e asamblistëve
Foto: Driton Paqarada/KOHA
11:24

Nis numërimi i votave me postë, hetohen edhe 255 vendvotime për votat e asamblistëve

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) ka nisur sot numërimi i votave të ardhura nga jashtë përmes postës.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka thënë se gjatë periudhës 15 shtator – 15 tetor, janë pranuar 10 mijë e 934 zarfe me fletëvotime, ku pastaj pas verifikimit, janë aprovuar 9610 sosh.

“Gjatë periudhës së votimit përmes postës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar rreth 5 mijë e 700 pakove të supozuara me fletëvotime. Pas vlerësimit dhe verifikimit nga shërbimi votues, brenda këtyre pakove janë konstatuar 10 mijë e 934 zarfe të individualizuara me fletëvotime. Gjatë vlerësimit të tyre janë aprovuar 9 mijë e 610 zarfe të individualizuara me fletëvotime, ndërsa janë refuzuar 1 mijë e 324 të tilla pasi nuk janë në përputhje me kriteret ligjore. Më shumë se gjysma e tyre janë refuzuar pasi janë dërguar nga persona që nuk kanë aplikuar për regjistrim si votues jashtë Kosovës 614 apo janë dërguar nga persona që nuk kanë arritur të regjistrohen si votues 200. Ka edhe raste kur pako me fletëvotime është dërguar më shumë se një herë nga persona të njëjtë 168”, ka thënë Elezi.

Ndërkaq, sa i përket votave me kusht, Elezi tha se ato do të numërohen të hënën dhe pasi përfundimit të numërimit të tyre pritet certifikimi i zgjedhjeve.

Ai po ashtu ka thënë se sot do të nisë edhe hetimi i 10% të vendvotimeve të çdo komune, të cilat i takojnë Zgjedhjeve për Kuvende Komunale.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të hetojë 10% të vendvotimeve të çdo komune dhe që i takojnë Zgjedhjeve për Kuvende Komunale. Këto vendvotime që do të hetohen, e që në total janë 255 vendvotime, janë përzgjedhur rastësisht dhe që gjatë pranimit të materialit të tyre nuk është vërejtur ndonjë parregullsi. Hetimi i tyre ka për qëllim që të vërtetojë nëse këshilli i vendvotimit ka bartur në mënyrë të saktë rezultatin/votat nga Fleta Llogaritëse e Kandidatëve në Formularin e Rezultatit të Kandidatëve. Fleta Llogaritëse e Kandidatëve, është një fletë pune ku regjistrohen votat e kandidatëve gjatë numërimit, para se ato të barten në Formularin e Rezultatit të Kandidatëve”, ka thënë Elezi.

Sipas procedurës, nëse nga hetimi rezulton se ka ndryshime dhe votat nuk janë bartur në mënyrë të saktë, atëherë pas vendimit të KQZ-së do të hapet kutia e votimit për ta saktësuar gjendjen.

07:52

Sot nis numërimi i 9610 pakove me fletëvotime nga diaspora

Numërimi i votave me postë do të nisë sot në ora 11:00, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).

KQZ-ja i ka pranuar votat nga jashtë në periudhën nga 15 shtatori e deri më 15 tetor.

KQZ-ja ka aprovuar 9,610 pako me fletëvotime të ardhura nga jashtë, derisa ka refuzuar 1,324 nga gjithsej 10.934 fletëvotime të pranuara.