Arbëri

Ngecjet në dialog vlerësohen negative për politikën e jashtme

 

Ndikimi i dialogut në politikën e jashtme, ka qenë temë diskutimi mes përfaqësuesve të pushtetit e opozitës. Në publikimin e analizës për këtë çështje, nga Instituti Demokratik i Kosovës, u tha se status-quoja në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë është e dëmshme për vendin, derisa e njëjta ndikon në përfaqësimin e jashtëm të vendit.

Ngecjet në procesin e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë kanë bërë që të mos jetë e qartë koha kur mund të arrihet një marrëveshje përfundimtare, u tha në diskutimin për ndikimin e dialogut në politikën e jashtme.

Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës, i cili prezantoi edhe analizën e bërë për këtë çështje, tha se situata aktuale nuk është shpresëdhënëse për Kosovën.