Arbëri

Loshaj: Kelkosi i tërhoqi paditë por dëmet janë shkaktuar

Shpresa Loshaj, aktiviste mjedisore në organizatën “Pishtarët”, ka thënë se tërheqja e padisë ndaj saj dhe aktivistit tjetër, Adriatik Gacaferit, nga kompania Kelkos, është një lajm i mirë, mirëpo kjo padi siç ka thënë ka bërë dëme të mëdha.

Në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, Loshaj ka thënë se tërheqja e padisë është fitore për aktivizmin dhe demokracinë, mirëpo hidrocentralet e Kelkosit ende operojnë dhe natyra në Grykën e Deçanit është ende e degraduar.

“E kemi parë me një sy pozitiv pasi është një fitore për aktivizëm dhe demokracinë. Kjo na tregon se nuk duhet të zmbrapsemi nga kauzat tona kur e dijmë që janë në rrugë të drejtë. Mirëpo hidrocentralet e Kelkosit ende operojnë, natyra në Grykën e Deçanit endeështë e degraduar. Nuk kanë marrë ndonjë vendim apo hap të duhur që tregon në se janë duke e rehabilituar natyrën. E vetmja gjë e mirë është që Kelkosi i ka tërhequr paditë mirëpo dëmi i padive është shkaktuar”, ka thënë Loshaj.

Ajo ka thënë se padia ndaj saj dhe Gacaferit ishte ngritur për t’i frikësuar dhe për t’i heshtur.

Sipas saj, Kelkosi duhet të japë edhe arsyen e tërheqjes së padisë.

“Motivi fillestar për të na paditur ishte që të na frikësojnë dhe të na heshtin. Kur u pa që ne nuk ishim vetëm dhe ne nuk po heshtim, kjo çështje u bë shumë e madhe u pa që ndodhi e kundërta e asaj që ata dështën. Kelkosi nuk ka dhënë deklaratë se përse e ka tërhequr padinë. Kelkosi ndoshta është duke u munduar që ta ndreq imazhin mirëpo do të ishte mire që Kelksoi të kërkojë edhe falje publike ndaj komunitetit dhe të fillojë një bashkëpunim me komunitet për të gjetur një zgjidhje për Grykën e Deçanit”, është shprehur Loshaj.